Partizani-Tirana luhet më shumë në rrugë, ndërhyn policia
Basketbolli për meshkuj riktheu derbin e kryeqytetit, por për efekt sigurie policia bëri që supersfidës ndërmjet Partizanit dhe Tiranës t’i mungonin tifozët.
Bardheblutë dominuan në parket, duke fituar në fund me rezultatin e përgjithshëm 80-52, megjithatë sfida me përmasa të mëdha, jo vetëm në planin sportiv, por edhe përsa i takon rivalitetit, e ndjeu mungesën e mbështetësve në tribuna.
Në Pallatin e Sportit, të pranishëm ishin vetëm disa dhjetëra spektatorë, të lejuar nga policia me kushtin që përveç biletave, paraqitën edhe kartat e identitetit apo pasaportat biometrike.
Askush tjetër nuk hyri, pasi nuk plotësoi kërkesën për t’iu përgjigjur masave drastike të sigurisë së vendosura nga forcat e rendit, pas sinjalizimeve për tifozë të përgatitur me bomba molotov, shashka e shkopa bejzbolli.
Në situatën e krijuar, ku gjatë kontrolleve tifozëve iu gjetën edhe sende të forta, jashtë impiantit nuk mungoi tensioni, me disa mbështetës por edhe zv.trajnerin e Tiranës që përfunduan në polici.
Në atmosferën e ftohtë të krijuar, dueli ishte i baraspeshuar vetëm në periodën e parë, ndërsa pjesa tjetër e lojës foli e gjitha për Tiranën, që vazhdon garën për mbrojtjen e titullit kampion.



