Abramovich “hap thesin”, i dhuron Sarrit fantazistin e Dortmundit
Roman Abramovich është tërësisht i kënaqur me skuadrën e drejtuar nga Sarri dhe ka vendosur të investojë, për të përforcuar edhe më shumë organikën, me qëllim që Chelsea të mbetet pretendent për titull.
Pikërisht për këtë arsye, manjati rus ka paguar plot 64 milionë euro për të transferuar në Londër talentin amerikan të Borussias së Dortmundit, Christian Pulisic. Ky i fundit është i lindur në Pensilvani dhe mbron ngjyrat e SHBA-ve, por është me origjinë kroate.
Fantazisti do të vijojë të mbetet pjesë e verdhezinjve të Dortmundit deri në fund të këtij sezoni, për t’u transferuar më pas në Londër dhe për t’u vënë në dispozicion të Sarrit duke filluar që nga kjo verë.
20-vjeçari, i cili ka shkuar si adoleshent në Gjermani, ka luajtur me shumë se 80 ndeshje për Dortmundin, por e ka bërë të qartë se nuk dëshironte të rinovonte, sepse synonte të luante në Premier Ligë.



