Agjenti i njohur zbulon prapaskenat: Milani e ka zgjedhur sulmuesin, ja cilët lojtarë do të shesë Interi
Ish-futbollisti italian, Massimo Brambati, i cili aktualisht ushtron detyrën e menaxherit të futbollistëve, ka zbuluar disa prapaskena mjaft interesante merkatoje, të cilat i ka mësuar në biseda me kolegë të ndryshëm të tij.
Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, Brambati ka zbuluar se Interi ka autorizuar shitjen e dy titullarëve mjaft të rëndësishëm, duke theksuar se kjo strategji i është komunikuar edhe Contes një vit më parë.
“Një miku im menaxher më ka thënë me siguri se Interi ka firmosur një prokurë për një agjent, që të merret me transferimin e Lautaro Martinez. Zikaltrit i kanë thënë edhe Contes një vit më parë, se do të shiten nga dy yje të skuadrës në dy vitet e ardhshme. Sezonin e kaluar ikën Lukaku e Hakimi, ndërsa këtë herë gjasat janë që të largohen Lautaro dhe Bastoni. Për Lautaron më kanë përjashtuar klubet italiane, PSG-në dhe Man. City-n si mundësi, ndërsa Bastonin e pret premier League. Sa i përket merkatos në hyrje, kanë avancuar bisedimet për rikthimin në huazim të Lukakut”, tha Brambati.
Duke folur për Milanin, ish futbollisti italian ka komentuar deklaratat e Maldinit, zërat për shitjen e klubit dhe në të njëjtën kohë ka zbuluar emrin që do të udhëheqë sulmin e kuqezinjve sezonin e ardhshëm.
“Maldini ka bërë një punë të shkëlqyer, por klubi i Milanit është në negociata për shitje dhe ndaj nuk i është ofruar një zgjatje e kontratës. Natyrisht që me pronarë e drejtues të rinj mund të ndryshojnë shumë gjëra, por në informacionet që kam unë, Maldini do të sjellë te Milani Scamacën, për t’i besuar sulmin”, u shpreh agjenti.
Një emër mjaft i përfolur në merkato është edhe Paulo Dybala, të cilit i ka përfunduar kontrata me Juventusin dhe mund të vendosë i lirë të ardhmen e tij, megjithatë këtu Brambati rezervohet.
“Dybala kishte një marrëveshje me Arsenalin, që do të hynte në fuqi, nëse londinezët do të kualifikoheshin në Champions, por kjo nuk ndodhi. Pikërisht për këtë arsye, është thuajse i pamundur edhe kalimi i tij te Roma. Me Interin ka një akord paraprak, por zikaltrit nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje, pa shitur më parë dhe ndërkohë që palët presin, ndonjë klub tjetër mund të përfitojë”, u shpreh Brambati.



