Aguero, një legjendë/ City nderon argjentinasin me një statujë në “Etihad” (foto)
Manchester City është shumë pranë titullit të tetë në histori në këtë sezon të Premier League. Gjithsesi, data 13 maj është diçka speciale për klubin, pasi në këtë datë, para 10 vitesh, Manchester City triumfoi në “ishull”, në sezonin 2011-2012.
Ishte titulli i tretë në histori, por i pari në epokën “e sheikëve” dhe pikërisht për këtë arsye, klubi ka nderuar sulmuesin argjentinas, Sergio Aguero për 10-vjetorin e titullit kampion. Në javën e fundit të sezonit, Manchesteri ishte i ndarë në dy pjesë, me City-n që mbylli atë sezon me pikë të barabarta me United (93 pikë), por titulli erdhi ne sekondat e fundit kundër QPR, me golin e Agueros, i cili shënoi në limite (minuta 93:20) duke përmbysur rezultatin në 3-2.

Statuja, që tregon mënyrën e festimit të golit të tretë nga Aguero është e vendosur përpara stadiumit “Etihad” dhe argjentinasi është mahnitur nga gjesti i klubit.
“Është momenti më i bukur i jetës time. Ai gol, moment dhe ajo ndeshje ndryshuan jetën time dhe e kam gjithmonë në zemrën time.” – tha Aguero në prezantimin e statujës.

Skulptura është e ndërtuar me bazë çeliku e galvanizuar dhe do t’i bashkohet statujave të legjendave të tjera të “Qytetarëve”, Vincent Kompany dhe David Silva, në anën lindore të stadiumit “Etihad”. Statuja e Agueros u krijua nga skulptori Andy Scoot dhe menjëherë mori vëmendje duke rikthyer përsëri emocionet e atij goli dhe sezoni fantastik për Manchester City, që së bashku me titullin kampion mposhtën rivalët e përjetshëm të Manchester United.
Sulmuesi argjentinas tashmë konsiderohet një legjendë e klubit dhe fitoi 15 trofe në 10 vite me “Qytetarët” dhe është lojtari i katërt në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Premier League me 184 gola në 275 ndeshje.
Aguero, sot 33 vjeç, u largua nga City verën e kaluar për një aventurë të re te Barcelona, por argjentinasi i dha lamtumirën futbollit të luajtur pas problemeve shëndetësore në zemër që e detyruan të tërhiqej.




