Ahmataj: Luftëtari ka bosht, ende s’kemi arritur gjë
Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj në intervistën për “Gol pas Goli” pas fitores me Laçin deklaroi se skuadra bluzi ka një bosht dhe futbollistë cilësorë, që nëse japin maksimumin mund të arrijnë shumë.
Çfarë ndryshuat te skuadra në kaq pak ditë?
Nuk kam bërë asgjë, vetëm sa vura lojtarët në pozita pune. Ajo që më bëri të marrë skuadrën është boshti i skuadrës. Pjesën tjetër jemi munduar ta plotësojmë. Lojtarët e njohin limitin e tyre dhe bëjnë maksimumin për të marrë rezultatin pozitiv. Ndeshja sot nuk tregon asgjë, duhet të shohim vazhdimësinë.
A ishin të motivuar sa duhet lojtarët?
Unë i vura në pozita pune. Lojtarët ishin të motivuar. Ata japin shembullin në fushën e lojës, janë çuna të mirë dhe me cilësi.
Do të vazhdoni me skemën 4-1-4-1?
Kemi përdorur shumë skema në fushën e lojës, në varësi të lojës. Funksionoi dhe nuk ka pse të heqim dorë, sepse duhet stabilitet dhe vazhdimësi në futboll.
A është sulmi që nuk markon pika më dobët?
Ata lojtarë janë me kualitet të mirë në sulm. Do humbim në një fazë që të fitojmë në një repart tjetër. Nuk kemi një luks kaq të madh.
A janë zgjidhur problemet financiare?
Për aspektin financiar nuk më takon mua të flas. Di që kam gjetur një klub të organizuar. Luftëtari ka një bosht skuadre të mirë. Mbrojtja, mesfusha madje dhe sulmi. Djemtë që kanë kapacitete aerobike të mira.



