Kategoria Superiore

Ahmataj në “Zona Gol”: Trajnerët e rinj afirmohen me skuadrat në vështirësi

Mori drejtimin e Luftëtarit në një moment shumë të vështirë dhe fill pas një humbjeje shkatërruese 1-5 përballë Kastriotit në shtëpi, por në më pak se një muaj, arriti të bëjë atë që shumë pak mund ta kishin menduar.

Bëhet fjalë për Julian Ahmatajn, i cili u ul në stolin e gjirokastritëve përpara sfidës në transfertë përballë Laçit dhe debutoi menjëherë me një fitore surprizë, me rezultatin 0-2, duke habitur jo pak opinionin sportiv.

Më pas erdhën dy barazime radhazi, pa gola përballë Flamurtarit në shtëpi dhe 1-1 në “Selman Stërmasi” ndaj Tiranës, rezultate këto që rikthyen shpresat e mbijetesës te skuadra gjirokastrite.

Momenti më i mirë për Luftëtarin e tij ishte pikërisht sot, kur skuadra tregoi një shpirt të lartë gare dhe forcë karakteri, duke marrë fitoren përballë skuadrës së momentin në Superiore, Teutës, e cila nuk humbte prej 15 javësh.

Për të folur mbi momentin e mirë që po kalon klubi gjirokastrit, mënyrën se si ia doli të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në klub, por edhe objektivat e skaudrës, Julian Ahmataj ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport.

Morët skuadrën në një moment të vështirë, por në 4 javë keni marrë plot 8 pikë dhe nuk njihni humbjen…
E kam deklaruar edhe më përpara në media, që ne trajnerët e rinj nuk e kemi luksin që të zgjedhim skuadrat, ndaj duhet të marrim ato që janë në vështirësi, për të fituar besimin për projekte më të mëdha. Unë, ashtu edhe si shumë trajnerë të rinj, kam punuar dhe studiuar shumë për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e mia.

Me kë e ka garën Luftëtari?
Luftëtari e ka garën me veten e tij. Unë e kam garën me futbollistët e mi, pasi duhet të punojmë për t’u përmirësuar çdo ditë e më shumë, duke minimizuar gabimet. Vetëm kështu, duke bërë gjithmonë e më mirë,. Mund t’ia dalim të arrijmë objektivin tonë.

Si ia dilni t’i mobilizoni lojtarët, që kanë muaj pa u paguar?
Nuk ka një çelës suksesi, por ka një marrëdhënie korrekte mes meje dhe lojtarëve. Unë dua që ata të jenë korrektë dhe në momentin që pranojnë të jenë pjesë e skuadrës, duhet të angazhohen maksimalisht si në stërvitje, ashtu edhe në fushën e lojës. Ua kam bërë të qartë lojtarëve, që nëse kanë pakënaqësi të tjera jashtë fushës së lojës, të trokasin në zyrat e klubit dhe të ndjekin hapat e nevojshme. Nëse vijnë në stërvitje, nuk toleroj që të mungojë angazhimi.

E kishit menduar se mund të fitonit në Laç, apo të barazonit ndaj Tiranës?
Pa diskutim që çdo fushë ka specifikat e saj dhe vështirësitë e saj për të fituar., Laçi nuk është ajo skuadra e viteve të fundit, pavarësisht se kërkon të marrë maksimumin nga futbollistët që ka në dispozicion. Edhe kurbinasit kishin disa pika të dobëta, që ne u munduam t’i shfrytëzojmë maksimalisht, duke e mbajtur kundërshtarin larg dhe duke e zënë në befasi për ta goditur.

Si e përgatitët sfidën me Teutën dhe si e përjetove fitoren?
Ishte një fitore e merituar nga ana jonë, pasi kishim një kundërshtar shumë të organizuar dhe me elementë cilësorë në përbërje. Ndeshja ishte e një ritmi shumë të lartë dhe në minutat e para vuajtëm shumë, por me kalimin e minutave e futëm në shinat që ne donim dhe arritëm të shënojmë, por edhe mund të kishim thelluar rezultatin. Teuta ka shtat-lartësi të madhe dhe na vuri në vështirësi, por për fat ia dolëm të presim edhe penalltinë kundër dhe të marrim 3 pikët.

Si ndihet një trajner kur nuk bën merkato?
Kjo është një pjesë shumë e vështirë, sepse po ta shikosh, në ndeshjet e para ne kemi pasur një organikë të paktë në numra dhe jemi detyruar të aktivizojmë lojtarë nga ekipi i të rinjve. Është shumë e vështirë për një trajner kur nuk ka zgjedhje, pasi ndërrimet ndikojnë te rendimenti i lojës.

Nëse do ishe trajner në janar, do ta pranoje largimin e Rrocës dhe Shkurtajt? Nëse do t’i kishit edhe këta të dy, deri ku mund të shkonit?
Unë do të bëja maksimumin t’i mbaja, pasi më intereson puna ime, por klubi ka politikat e tij që duhet t’i respektojmë dhe detyrohemi të punojmë me futbollistët që na vënë në dispozicion. Patjetër që po të kishim ata të dy në përbërje, do të kishim forcë më të madhe dhe shumë më tepër kualitet.

A e konsideroni Luftëtarin si një trampolinë për një nivel më të lartë?
Patjetër dhe këtë ua kam, thënë edhe lojtarëve që në ditën e parë,. Unë, ashtu si ata, jem këtu për të bërë më të mirën dhe për t’u rritur gjithnjë e më shumë profesionalisht. Unë u kam thënë lojtarëve që në fushën e lojës, pavarësisht kundërshtarit, shanset për ta fituar ndeshjen janë gjithmonë, por ka shumë rëndësi që të gjesh momentin e duhur për të ndëshkuar kundërshtarin dhe për ta shfrytëzuar maksimalisht.

Keni qenë shpesh në emisionet e Supersport. Sa ju ka shërbyer kjo eksperiencë?
Është një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe jam i bindur që më ka ndihmuar shumë.

Ke pasur ndonjë trajner idhull?
Nuk kam pasur ndonjë trajner idhull, por kam shumë që më pëlqejnë, për stile të caktuara të tyre.

Cili është stili i Ahmatajt?
Stili i lojës së një trajneri varet shumë nga lojtarët që ka në dispozicion. Shikohet organika dhe ndërtohet strategjia e lojës, por gjithmonë duke ruajtur ekuilibrin në fushën e lojës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency