Ajax vuan në Rotterdam, vendos goli i lojtarit të momentit
Ajax merr fitoren e tretë radhazi, duke mundur minimalisht Sparta Rotterdam në transfertë. Kampionët në fuqi luanin pa Antony, i cili pret të mësojë të ardhmen e tij, por pa brazilianin në fushë hasën jo pak vështirësi.
Skuadrës së Schreuder, i mjaftoi një gol i Bergwijn për të marrë maksimumin e pikëve, por nëse në pjesën e parë ishte dominuese, në fraksionin e dytë nuk e pati të lehtë, me Sparta Rotterdam që ishte më kërkuese dhe provoi që të ndryshonte diçka në fatin e sfidës. Bergwijn është lojtari i momentit te Ajax, pasi ky ishte goli i katërt në 2 ndeshjet e fundit.
Ajax kishte mundësinë që të shënonte dhe golin e dytë, megjithatë traversa i mohoi golin Brobbey, megjithatë edhe për meritë të Pasveer, Ajax merr pikët e plota dhe vijon të jetë në vendin e parë me 9 pikë pas tre javësh, ndërsa Sparta Rotterdam duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë në këtë sezon, teksa kjo ishte humbja e dytë radhazi për ta.
Ndeshja e radhës për Ajax do të jetë me Utrecht, ndërsa Sparta luan me Go Ahead Eagles në transfertë.



