Akoma nuk është gati për Gerrard, Coutinho mbetet në Francë
Stiven Gerrard ia ka dalë të sigurojë një dhuratë të rëndësishme në këtë merkato janari, teksa drejtuesit e klubit të Aston Villa-s i kanë vënë në dispozicion ish-shokun e skuadrës te Liverpool, Philiphe Coutinho.
Braziliani ishte vendosur në “listën e zezë” nga ana e Barcelonës duke qenë se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Xavi Hernandez dhe në këtë formë rëndonte tej mase buxhetin e katalanasve me pagën e tij stratosferike.
Ndaj, anglezët përfituan dhe siguruan një element të rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit teksa fantazisti e njeh mirë kampionatin duke qenë se në të kaluarën është aktivizuar me Liverpool.
Megjithatë, Coutinho ende nuk është bashkuar me Aston Villa edhe pse ka kaluar vizitat mjekësore në Francë. Futbollisti gjendet ende në Francë teksa po pret të marrë lejën e punës për t’u zhvendosur më pas në Angli dhe për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Gerrard. Shpresa e trajnerit 41-vjeçar është ta ketë të gatshëm lojtarin për sfidën e 15 janarit në kampionat ndaj Manchester United.



