Alban Hoxha: Pikë me shumë vlerë, s’dua të ankohem më për gjurin
Pasiguri në rastin e golit të pësuar, por vendimtar me disa ndërhyrje, duke shmangur gola të sogurtë. Alban Hoxha ishte pa dyshim lojtari më i mirë i të kuqve ndaj Teutës.
E patët të vështirë pas golit të pësuar?
Kur pëson gol që në fillim, është e vështirë për të gjetur lojën. Kishim ardhur për tri pikët, por na kënaq edhe një barazim, duke parë rrjedhën që mori loja.
Diferenca me vendin e dytë ka shkuar 5 pikë…
Në këtë kampionat kemi parë që asgjë nuk është e thjeshtë. Do të bëjmë gjithçka që të mbajmë sa më larg si Kukësin dhe Skënderbeun.
Si jeni me shëndetin, e keni kaluar problemin me gjurin?
Jam munduar të bëj sa më shumë terapi dhe palestër, nuk e kam në gjendjen time më të mirë, por nuk dua të ankohem më për gjurin se u bë si telenovelë. Shpresoj të jem më mirë kështu.
A mund të thuhet se Partizani ka luajtur mirë, kur lojtari më i mirë del portieri dhe a ishte kjo performancë e jotja një autokritikë?
Nuk është puna se dola unë lojtari më i mirë, në çdo ndeshje dikush do të zgjidhet. Ka momente të mira dhe të këqija. Ne nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por e rëndësishme është që të marrim pikë edhe kur nuk luajmë mirë. Për autokritikën janë gjëra që ndodhin në të gjithë botën, dhe nuk dua ta komentoj.
Ju duket Teuta një pretendentë për titull?
Normalisht që edhe Tetua është pretendente, por nuk mund të them për titull. Kanë treguar një lojë shumë të mirë, edhe në Korçë edhe me ne. Mendoj se do të jetë në katër vendet e para. E vështirë për të thënë se me kë do e ndajmë titullin.



