Alban Shillova i Prishtinës, një sulmues me përvojë për Josën
Alban Shillova kishte edhe gjashtë muaj kontratë me Flamurtarin, por me mirëkuptimin e skuadrës kuqezi është arritur marrëveshja për transferimin në Prishtinë.
Sulmuesi 26 vjeç këtë edicion ka shënuar 11 gola (10 Superligë/1 Kupë). Sulmuesi shtatlartë është produkt i Shkollës së futbollit “Vigani”, ndërsa më parë ka luajtur për KEK-un, Fushë Kosovën, Bylisin në kampionatin e Shqipërisë, Dritën, Lirinë dhe Vllazninë e Pozharanit.
“Kam zgjedhur Prishtinën thjesht se është klubi më i madh në vend dhe më gjerë, sepse është duke e pritur mjaft gjatë titullin, së bashku të arrijmë deri te ai qëllim madhor. Kam shëtitur në mjaft klube, besoj se me përvojën që tani kam, jam pjekur edhe si futbollist dhe ka ardhur koha e duhur të vesh fanellën e klubit të qytetit tim.
Është e vërtetë që më pret konkurrencë e fort me sulmues shumë cilësor, megjithatë konkurrenca e rrit cilësinë dhe unë premtoj se do të jap maksimumin duke shpresuar se do të zë vend në formacion”, – deklaroi Shillova.



