Albi Alla protagonist në Kinë, shënon dhe i jep fitoren Shaanxi Changan!
Albi Alla është përshtatur shumë mirë në Kinë që pas transferimit të tij në Lindjen e Largët në shkurt të 2019-ës. Ish mbrojtësi i Kukësit jo vetëm që është shumë efikas dhe i sigurt në fazën mbrojtëse por bën edhe sulmuesin në ndeshje të caktuara për skuadrën e tij Shaanxi Changan. Këtë të mërkurë Alla realizoi me kokë golin e fitores për Shaanxi Changan në sfidën ndaj Nantong Zhiyun. Në minutën e 86-të Alla kërceu më lart se të gjithë duke mposhtur me një goditje të bukur me kokë portierin kundërshtar dhe duke i dhënë një fitore shumë të rëndësishme ekipit të tij në garën për mbijetesë në ligën e parë kineze, aty ku tashmë aktivizohen edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë Vasil Shkurtaj dhe Jahmir Hyka.



