Aliti: Kemi mungesa, por me mbështetjen e të gjithëve do t’ia dalim!
Kosova u nis paraditen e sotme drejt Shkupit mes ovacioneve të shumta që ishin mbledhur për të përcjellur skuadrën dardane. Përpara nisjes për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për sfidën gjysmëfinale të play-off të kësaj të enjteje, foli për mediat vendase mbrojtësi Fidan Aliti i cili shfaqi të gjithë besimin e tij për një kualifikim të mundshëm të dardanëve pavarsisht mungesave të tre lojtarëve kryesorë të skuadrës, Vedat Muriqit, Milot Rashicës dhe Amir Rrahmanit.
“E dimë se çfarë rëndësie ka ky takim, do jetë një duel me shumë emocione. Rëndësia e ndeshjes është e madhe dhe nuk dyshoj se si ne, si kundërshtarët do të japim maksimumin. Duket qartë që kemi mungesa, por nuk është koha për të folur për futbollistët që mungojnë, por është koha për të mbështetur futbollistët që janë këtu me ne. Kemi nevojë për përkrahjen tuaj më shumë se për çdo gjë tjetër, së bashku jemi më të fuqishëm”, përfundoi mbrojtësi i ri i Zurich në kampionatin zviceran.



