Aliti “qan” penalltinë e humbur: Na mundën me gjysmë rasti
Fidan Aliti penalizoi jo pak Skënderbeun me atë 11-metërsh të shpërdoruar në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa korçarët u mposhtën me rezultatin 0-1 ndaj Teutës. Zhgënjimin nuk e fshehu as vetë qendërmbrojtësi kosovar, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Sa peshon ajo penallti e humbur?
Futbolli është i këtillë. Mund të kisha shënuar dhe të isha hero, por e humba dhe tashmë evidentohet më shumë ai gabim. Unë e mora me besim penalltinë, pasi jam në listën e atyre që gjuajnë, por për fat të keq nuk e ktheva në gol.
Gjuajtët keq, apo u tregua portieri i zoti?
Unë mendoj se mund të gjuaja edhe më mirë, por në përgjithësi penalltitë kanë nevojë edhe për shumë fat, që të përfundojnë në rrjetë.
Luajtët për 45 minuta me një portë, por nuk arritët të shënonit…
Nuk e di çfarë ndodhi, që topi nuk shkonte në rrjetë, pasi dominuam gjatë gjithë 90 minutave. Kundërshtari na ndëshkoi me një gjysmë rasti.
A besoni se mund ta mbyllni si kampionë dimri?
Ne shohim vetëm te ndeshja e radhës, që është ajo ndaj Kukësit. Do të kërkojmë të marrim fitoren ndaj tyre dhe më pas të shohim.
Do të vijoni të mbeteni te Skënderbeu?
Për momentin jam lojtar i Skënderbeut dhe do të vijoj kontratën. Ka disa bisedime për t’u transferuar, por asgjë konkrete, ndaj besoj se do të mbetem në Korçë.



