Allegri: Ronaldo është inteligjent, presim golat e tij
Startet e kampionateve kanë qenë gjithmonë të vështira te Juventusi, që zakonisht ka filluar të mbledhë pikët vetëm pas muajit gusht, por këtë sezon duket se gjithçka ka ndryshuar dhe Allegri e shikon skuadrën në kuotën e 6 pikëve, pas dy ndeshjeve të para.
Cristiano nuk e ka shënuar ende golin e parë bardhezi, por ka rritur entuziazmin brenda grupit, që duket se ka më tepër besim dhe energji, ndaj synon triumfin në çdo minutë. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga tekniku bardhezi, që vlerëson inteligjencën e portugezit.
“Ronaldo është një futbollist shumë inteligjent dhe e ka kuptuar mirë diferencën mes Italisë dhe Spanjës. Ai po punon shumë dhe sot ka treguar një impenjim të madh edhe në fazën defensive. Është një lojtar që dialogon mjaft mirë me shokët dhe shumë shpejt do të vijnë edhe golat e tij”, deklaroi Allegri.
Tekniku i Juventusit vendosi të ulë në stol Paulo Dybalën, për t’i besuar kroatit Mandzukiç në krah të Cristiano Ronaldos. Vetë Allegri shpreh besimin e plotë te argjentinasi, por thekson se zgjidhjet taktike i bën edhe në varësi të kundërshtarit.
“Dybala është një nga lojtarët më të mirë që kemi dhe na jep shumë kur luan mes linjave, pasi ka teknikë dhe mbi të gjitha goditje befasuese. Gjithsesi të gjithë lojtarët që kam në dispozicion janë të gatshëm të luajnë nga fillimi, ndaj më duhet të bëj disa zgjedhje, për të balancuar forcat në fushë dhe për t’u përshtatur me kundërshtarin”, deklaroi tekniku i bardhezinjve.



