Allegri shfryn ndaj gazetarëve: Championsi nuk është një turne plazhi, e ardhmja ime…
Massimiliano Allegri shpërthen ndaj gazetarëve në vigjilie të ndeshje ndaj Romës në Serie A. Trajneri i Juventusit ua bëri të qartë të gjithëve se të ardhmen e tij e ka vendosur që para 6 muajsh pasi ka në mendje një projekt të ri dhe këtë javë do të flasë me presidentin Andrea Agnelli për të hedhur bazat që ky projekt i ri të vendoset në praktikë. Sipas Allegrit e ardhmja e tij do të jetë te Juventusi edhe gjatë viteve në vazhdim dhe është e kotë që në media po flitet kaq shumë për një largim të mundshëm të tij.
“Më bën për të qeshur vetëm për një arsye. U zgjova mëngjesin e sotëm dhe po mendoja se çfarë do të kishte ndodhur nëse do kisha fituar më pak trofe nga çfarë kam fituar. Do të më kishin djegur të gjallë. Do të takoj presidentin gjatë javës dhe do të flasim për sa i përket situatës. Do të analizojmë dhe diskutojmë çdo gjë në 360 gradë, ashtu siç bëjmë gjithmonë. Pas ndeshjes me Ajaxin unë i thashë se dua të qëndroj.Disa njerëz mendojnë se të fitosh Championsin është aq e lehtë sa të fitosh një turne futbolli në plazh kur je me pushime.”



