Analizë KUQ E ZI/ Ismajli shfaqet dominues në Serinë A, mbrojtësi më i mirë për goditje të bllokuara
Në sezonin e tij të tretë në Serinë A, duket se Ardian Ismalji është ambientuar në mënyrë perfekte dhe menjëherë është shfaqur si lider i mbrojtjes së Empolit. Mbrojtësi 26-vjeçar ka luajtur si titullar në këto javë të para dhe siç zbulohet në skanerin e emisionin “Analizë KUQ E ZI” në SuperSport, ka shifra vërtetë për t’u admiruar.
Qendërmbrojtësi kuqezi është i pari në Serinë A për goditje të bllokuara, plot 8 të tilla dhe i treti për interceptime për ndeshje, plot 7.36 të tilla. Gjithashtu Ismajli ka treguar një saktësi prej 87 % në pasime dhe ka fituar 73 % të dueleve.

Në kushtet e mungesës së Kumbullës, Gjimshitit dhe Dermakut, i takon pikërisht Ismajlit që të bëjë liderin e prapavijës së Kombëtares në sfidat ndaj Izraelit dhe Islandës, pasi është padyshim titullari më në formë i kuqezinjve.
Për më tepër, nëse mbrojtësi do të konfirmojë këtë paraqitje edhe në vijim të kampionatit, nuk do të jetë e largët dita kur të veshë fanellën e ndonjë klubi më të madh se Empoli, pasi skautët janë duke mbajtur shënime mbi shifrat e tij në fushë.



