Kombëtare

Analizë Kuq E Zi/ Nga porta në sulm, si vijnë futbollistët e Kombëtares para ndeshjeve të Ligës së Kombeve

Kombëtarja Shqiptare ka nisur sot grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit më 24 shtator dhe Islandës më 27 shtator, dy sfida të cilat duhen fituar nga kuqezinjtë, për të arritur objektivin, pra vendin e parë në grup.

Shqipëria ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, megjithatë optimizmi është i madh për t’ia dalë në dy ndeshjet e radhës. Në emisionin “Analizë Kuq e Zi” në SuperSport, u bë edhe një panoramë e gjendjes së futbollistëve të grumbulluar, duke analizuar minutat dhe paraqitjen e tyre në këto javë të para të sezonit të ri.

Kështu në portë trajneri Edi Reja ka thirrur përveç dyshes Berisha-Strakosha, edhe gardianin e Cittadellës, Elhan Kastrati, teksa vlen të theksohet se ky i fundit është i vetmi që ka luajtur të 6 ndeshjet e këtij sezoni dhe vjen me minutazh të plotë.

Nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon Etrit Berisha, ndërsa Strakosha ka parë nga stoli ndeshjet e Premier League, por ka shijuar debutimin në një ndeshje të Kupës së Anglisë dhe vjen me vetëm 90 minuta aktivizim.

Mbrojtja është reparti me më shumë mungesa për kuqezinjtë, pasi nuk do të jenë në dispozicion titullarë si Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti e Kastriot Dermaku, ndërsa trajneri Reja ka ftuar plot 9 futbollistë për këtë repart.

Ardian Ismajli është ai që pritet të bëjë liderin në prapavijë, pasi vjen në një formë të shkëlqyer, me të 7 ndeshjet si titullar te Empoli dhe me shifra që e konfirmojnë si një nga tre mbrojtësit më të mirë në Serinë A.

Me minutazh të plotë vijnë edhe emra si Lenjani e Ardian Bajrami, ashtu si edhe i zakonshmi Ivan Balliu që është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm dhe një futbollist stabël në paraqitje, te Rayo Vallecano në La Liga.

Edhe Mihaj, Veseli e Hysaj numërojnë minuta mjaftueshëm për të gjetur formën më të mirë gjatë këtij fillimi sezoni, ndaj të paktën në aspektin fizik, trajneri Reja ka garancinë e duhur nga futbollistët e grumbulluar.

Në mesfushë, Ylber Ramadani te Aberdeen në Skoci dhe Klaus Gjasula në Bundesligën 2, janë ata që kanë marrë më shumë minuta, duke luajtur përkatësisht 11 dhe 9 ndeshje në këtë fillim sezoni, teksa minutazh të mjaftueshëm kanë marrë edhe emra si Abrashi e Bajrami.

Ka luajtur shumë pak Kristjan Asllani te Interi, që duket se nuk ka fituar ende besimin e Inzaghit, megjithatë mund të marrë besimin e Rejës për dy ndeshjet e radhës, ashtu si Keidi Bare, të cilin dëmtimi e ka shndërruar në një futbollist stoli te Espanyol.

Në sulm futbollisti me më shumë minuta është Sokol Cikalleshi, ndërsa ai më në formë është padyshim Myrto Uzuni, që ka shënuar edhe 6 gola në këto javë të para të Segunda Division në Spanjë, megjithatë ky i fundit rrezikon të humbë sfidat, pasi ka një problem muskulor dhe ende nuk dihet nëse do t’ia dalë të rikuperohet.

Broja ka marrë pak minuta te Chelsea, megjithatë në sfidën e fundit ndaj Salzburg në Champions, tregoi se është në formë të shkëlqyer, ndërsa trajneri Reja ka ftuar edhe Eljon Toçin, sulmues i shpresave, që aktivizohet me të rinjtë e Fiorentinës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency