Analizë Superiore/ Dinamo i fiton duelet Laçit, Egnatia e zotëron topin 23 sekonda më shumë se Tirana
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe videoanalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi është diskutuar mbi atë se çfarë prodhoi java e 29-të në Abissnet Superiore.
Një nga sfidat më tërheqëse ishte ajo mes Teutës dhe Vllaznisë e mbyllur me rezultatin 1-1, teksa durrsakët ia dolën të barazonin vetëm në fund me anë të mbrojtësit Ivanovic. Sa i takon statistikave që prodhoi 90-minutëshi, Teuta dhe Vllaznia ishin barazim edhe në goditjet drejt portës, me të dyja skuadrat që provuan në nëntë raste ndërsa vetëm në dy goditje gjetën kuadratin. Nga ana tjetër, “Djemtë e Detit” ishin më mirë në pjesën e zotërimit të topit, por edhe të pasimeve të sakta, teksa fituan tre duele më shumë se kundërshtarët.

Sakaq, një tjetër sfidë me kuriozitet për shkak të objektivave të secilës skuadër ishte edhe ajo mes Laçit dhe Dinamos e fituar nga kurbinasit me rezultatin 2-1. Edhe në këtë sfidë, të dyja skuadrat regjistruan nga 16 goditje, me vendasit që ishin më të saktë pasi e gjetën portën e Simonit në shtatë raste, ndërsa miqtë vendosën në provë Dajsinanin në katër momente. Megjithatë, Dinamo ishte më mirë në aspektin e zotërimit të topit dhe dueleve të fituara, ndërsa sa i takon driblimeve, Laçi ishte superior.

Në Rrogozhinë, Egnatia sfidoi Tiranën kryesuese ndërsa nuk ia dolën të ndalnin hapin e kryesuesve të cilët triumfuan lehtësisht me shifrat 0-3. Bardheblutë u shfaqën kërkues në sulmet e tyre dhe provuan në 22 raste portën e Pujës, ndërsa nëntë herë e patën të saktë shënjestrën e tyre. interesant është fakti se përqindja e zotërimit të topit u nda në 50 me 50, por në minutash, vendasit e kishin në zotërim vetëm 23 sekonda më shumë se kryeqytetasit, me këta të fundit që fituan vetëm një duel më shumë se Egnatia.

Ndërkaq, Partizazni ndali ecurinë pozitive në kampionat dhe nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Skënderbeut në Elbasan. Të kuqtë ishin më kërkues se korçarët mirëpo superioritetin në kontrollin e topit, por edhe në pasime e goditje në portë, nuk ia dolën ta shfrytëzonin, ndësa regjistruan 122 topa të humbur ndaj 116 të Skënderbeut.

Nga ana tjetër, Kastrioti mori një tjetër trepikësh të artë për objektivin mbijetesë teksa në Kamëz mposhti me rezultatin 1-0 Kukësin. Krutanët iu falën një goli të Bedri Grecës, ndërsa sa i përket statistikave të ndeshjes, verilindorët ishin më mirë në aspektin e zotërimit të topit, po ashtu edhe në pasimet e sakta e duelet e fituara në fushë. Megjithatë, statistikat në favorin e tyre nuk ia dolën t’i konkretizojnë me gol, duke dalë të mposhtur.




