“Analizë Superiore”/ Gol dhe shumë topa të rikuperuar, Dwoumfour ylli i Skënderbeu-Kukësi
Skënderbeu siguroi fitoren e parë sezonale në Abissnet Superiore në fundjavë. Skuadra e Migen Memellit mposhti 2-1 Kukësin në Korçë, duke siguruar tre pikë tepër të rëndësishme.
Të tre golat u realizuan në pjesën e dytë të ndeshjes, me Randy Dwoumfour që zhbllokoi takimin falë një goditje të bukur me kokë (55’).
Përveç golit, 20-vjeçari ganez zhvilloi një ndeshje shumë të mirë si qendërmbrojtës, duke ofruar siguri në repartin e prapavijës së Skënderbeut.
Dwoumfour është shpallur futbollisti më i mirë i ndeshjes Skënderbeu-Kukësi sipas analizës së kryer në emisionin “Analizë Superiore” në Supersport, nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe Fation Bardhit, videoanalist i kombëtares U19, që nxjerr statistika dhe detaje interesante të asaj çfarë ndodh në futbollin tonë.
Afrikani fitoi 10 nga 15 duelet ndaj lojtarëve kundërshtarë, duke ia dalë me sukses në 67% të rasteve. Dwoumfour u shfaq fantastik me 11 topa të rikuperuar gjatë 90 minutave të zhvilluara ditën e shtunë.




