Analizë Superiore/ Java e 24-t prodhon vetëm 4 gola, Egnatias “i rri ngushtë” humbja ndaj Teutës
Java e 24-t e Abissnet Superiores pritej të dhuronte emocione të shumta, për vetë faktin që viheshin përballë Tirana e partizani në derbin më të nxehtë të kryeqytetit dhe Kukësi e Vllaznia, një sfidë mes dy prej ekipeve më spektakolare deri në këtë pikë të sezonit.
Megjithatë vetëm 4 gola të shënuar në 5 ndeshje janë vërtetë shumë pak dhe asnjë prej sfidave nuk u ngrit në lartësinë e pritshmërive, duke prodhuar vërtetë pak tentativa drejt portave përkatëse.
Tirana-Partizani 0-0
Sytë e të gjithë sportdashësve ishin padyshim në “Air Albania” për derbin e kryeqytetit, që prodhoi vetëm zhurmë të madhe dhe asgjë për t’u shënuar në fushë. Një sfidë që zgjati më shumë se 100 minuta bashkë me shtesat, prodhoi vetëm 46 minuta e 29 sekonda lojë efektive dhe për më tepër, vetëm një goditje në portë.
Pikërisht dobësia në finalizimi ishte ajo që u evidentua edhe në derbin e kryeqytetit, me Tiranën që bëri 18 goditje, por nuk dërgoi asnjë në kuadratin e Alban Hoxhës, ndërsa “të kuqtë” tentuan 8 herë të gjejnë portën, por vetëm një herë dërguan sferën në kuadrat.

Kukësi-Vllaznia 0-0
Në “Elbasan Arena” triumfoi frika për të mos humbur, me Kukësin që si rrallë herë këtë sezon, hoqi dorë nga kontrolli i topit dhe vendosi të presë kundërshtarin për ta goditur në kundërsulm, por u befasua, pasi të njëjtën gjë bëri edhe Vllaznia. Shkodranët ishin ata që dominuan lehtësisht në kontrollin e topit, duke e mbajtur në 55% të kohës, ndërsa verilindorët provuan më shumë për të gjetur kuadratin, në plot 12 raste. Megjithatë edhe këtu doli në pah mungesa e saktësisë, pasi u regjistruan vetëm dy goditje në portat përkatëse.

Kastrioti-Laçi 1-1
Sfida që prodhoi gjysmën e golave të të gjithë javës, ishte ajo mes Kastriotit dhe Laçit, që ashtu siç pritej, ofroi një luftë të fortë sportive gjatë gjithë 90-minutëshit dhe në fund të dy skuadrat ndanë nga një pikë. një barazim mjaft i drejtë për atë që skuadrat prodhuan në fushën e lojës, pasi thuajse të gjithë treguesit e lojës ishin në baraspeshë.

Egnatia-Teuta 0-1
Durrsakët kampionë në fuqi u rikthyen te fitorja në një transfertë direkte për mbijetesën si ajo ndaj Egnatias, ku morën 3 pikët falë një racionaliteti për t’u vlerësuar. Vetëm një goditje në portë për durrsakët, por ajo u ndal në rrjetë dhe kishte vlerën e tre pikëve, ndërsa në kampin rrogozhinas ka shumë zhgënjim për një humbje që rri ngushtë, pasi skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani meritonte minimalisht një barazim[ për atë që dha në fushën e lojës.
Skënderbeu-Dinamo 0-1
Një tjetër ndeshje direkte për mbijetesën ishte edhe ajo mes Skënderbeut dhe Dinamos, që u fitua me rezultatin minimal 0-1 nga kryeqytetasit. Skuadra e Bledar Devollit gjeti golin e fitores që në start dhe më pas u kujdes më shumë për fazën mbrojtëse, ndërsa Skënderbeu mori iniciativën, por pa saktësinë e duhur, pasi nuk regjistroi asnjë gjuajtje në portë, në harkun e 90-minutave.




