Kategoria Superiore

Analizë Superiore/ Laçi mund me statistika Tiranën, Partizani vuan finalizimin

Abissnet Superiore kompletoi këtë javë raundin e 22-të, ndërsa në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me pjesëmarrjen e video-analistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi janë vendosur nën lupë paraqitjet e 10 skuadrave të Superiores. Një nga ndeshjet e cila kishte vëmendjen maksimale ishte ajo e Air Albanias mes Tiranës dhe Laçit për vetë pozicionin në klasifikim të të dy ekipeve. Gjithsesi, bardheblutë ia lehtësuan punën vetes duke qenë se shënuan katër gola në pjesë të parë dhe në fund triumfuan me rezultatin 4-1.

Por, nëse i hedhim një sy statistikave që prodhoi 90-minutëshi në kryeqytet, rezulton se në këtë aspekt Laçi bëri më mirë se Tirana. Kështu, të besuarit e trajnerit Mirel Josa ishin më mirë në zotërimin e topit, në pasime dhe në duelet e fituara në fushë. Sakaq, Tirana konfirmon shënjestrën teksa në tetë raste që gjeti kuadratin e Dajsinanit e ndëshkoi katër herë. Për t’u theksuar se në këtë ndeshje, arbitrat anësorë nuk kishin punë teksa nuk u regjistrua asnjë pozicion jashtë loje nga të dyja skuadrat.

Ndërkohë, një tjetër takim që spikati në javën e 22-të ishte derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit i luajtur në Elbasan. Takimi i përfunduar me rezultatin 0-0, tregoi se të kuqtë pavarësisht se e gjetën tetë herë kuadratin e bluve, në asnjë rast nuk patën saktësinë për të ndëshkuar Romeo Harizajn. Nga ana tjetër, sulmi i Dinamos prodhoi pak dhe në vetëm dy raste gjetën kuadratin e Alban Hoxhës që u përgjigj gati. Sakaq, Dinamo ishte më mirë në aspektin e pasimeve, por jo në atë të dueleve të fituara.

Nga ana tjetër, Kukësi ia doli vetëm në fund të shpëtonte nga disfata teksa barazoi në minutat e fundit me rezultatin 1-1 ndaj Teutës. Sa i takon statistikave që prodhoi takimi i luajtur në Shkodër, verilindorët ishin shumë më mirë në zotërimin e topit dhe rrjedhimisht edhe në pasimet e prodhuara në fushën e Loro Boriçit. Sakaq, duelet në fushë u ndanë në barazim me të dyja skuadrat që dolën fitimtarë në 85 raste.

Vllaznia u ndal në barazimin e dytë radhazi teksa shkodranët e mbyllën sfidën e Korçës ndaj vendasve të Skënderbeut me rezultatin 2-2. Statistikat e kësaj ndeshje tregojnë se kuqeblutë ishin më mirë në duelet e fituara, ndërsa goditjet në portë u ndanë në mënyrë të bartabartë nga 6 për secilën skuadër.

Egnatia ia doli të fitonte duelin e mbijetesës me Kastriotin me rezultatin 2-1. Vendasit ishin superior në zotërimin e topit ndërsa e kërkuan më shumë triumfin duke gjetur në gjashtë raste kuadratin e Salit, ndërsa po ashtu ishin më mirë edhe në paimet dhe duelet e fituara në fushë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency