Analizë Superiore/ Partizani godet me “breshëri”, Tirana bën “bllok”. Skënderbeu kthehet në “tabelë qitje”
Emisioni Analizë Superiore në Supersport, i drejtuar nga Sokol Xhihani dhe me pjesëmarrjen e videonalistit të kombëtares U19, Fation Bardhi, ka publikuar përqindjen e goditjeve në portë të skuadrave të Superiores deri në këtë pikë të kampionatit. Ajo që kryeson këtë renditje është Partizani, me Demat të cilët kanë provuar të gjejnë kuadratin e kundërshtarëve në 355 raste, me një përqindje të saktësisë prej 34.4.

Pas tyre në këtë renditje vjen Laçi me 346 goditje që është edhe ekipi që provon më shumë portën nga jashtë zonës (në 198 raste), ndërsa kompleton podiumin Vllaznia e cila lë pas Tiranën. Ndërkaq, në fund renditet Skënderbeu, me vetëm 195 goditje drejt kuadratit kundërshtar. Sa i takon mesatares së goditjeve të gjithë skuadrave të kampionatit, ato e gjejnë kuadratin në 279.7 raste me një përqindje të saktësisë prej 33.38%.
Ndërkohë, ekipi që lejon më pak goditje në portë është Tirana. Deri në këtë pikë të sezonit, kundërshtarët kanë provuar t’i godasin bardheblutë në 227 raste me një mesatare prej 7.66 për ndeshje.

Pas Tiranës, skuadra që pëson më pak në këtë aspekt është Partizani, ndërsa pas të kuqve renditet Vllaznia. Më keq sa i takon kësaj statistike ka bërë Skënderbeu, me korçarët që janë kthyer në “tabelë qitje” teksa kanë marrë 345 goditje me një mesatare prej 11.62 për ndeshje. Pas juglindorëve më keq ka bërë Egnatia dhe Dinamo.
Sakaq, në lojtarët që godasin më shumë portën në një 90-minutësh, shkëlqen Redon Xhixha i Tiranës. Sulmuesi anësor e gjen kuadratin në 2.9 raste për 90 minuta, ndërsa pas tij renditet Ante Aralica i Vllaznisë. Ndërkohë, në podium është edhe Adeleke Akinyiemi i Laçit, ndërsa në pesëshen e më të dalluarëve është edhe Pedro Augusto i Egnatias dhe Serxho Ujka i Laçit. Sa i takon përqindjes së saktësisë në goditjet për 90 minuta, dallon Guindo e pas tij Da Silva i Vllaznisë me treshen që plotësohet nga Skuka i Partizanit.




