Analizë Superiore/ Pedro shfaqet sërish si lider, me të Egnatia nuk bie
Egnatia konfirmohet si një pretendente e fortë për të mbijetuar në Superiore, pasi ia doli të fitojë sfidën direkte ndaj Dinamos dhe të regjistrojë një tjetër rezultat pozitiv, teksa hero i rrogozhinasve është padyshim Pedro Augusto.
Rikuperimi i brazilianit nga dëmtimi përkon edhe me kohën kur rrogozhinasit u rikthyen te rezultatet pozitive, teksa edhe në transfertën ndaj Dinamos Pedro gjeti golin që vulosi fitoren dhe regjistroi shifra të shkëlqyera për një sulmues.
Kështu braziliani tregoi 50% saktësi në gjetjen e kuadratit, pasi dërgoi në portë 3 nga 6 gjuajtjet, realizoi me sukses tre nga katër driblimet e provuara dhe gjithashtu pasi një saktësi 90% në pasimet për shokët e skuadrës.
Me një Pedri që luan në mënyrë të tillë dhe shënon rregullisht, kjo Egnatia vështirë si bie sërish në Kategorinë e Parë.




