Analizë Superiore, publikohet formacioni më i mirë deri në javën e 30-të
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport, të drejtuar nga Sokol Xhihani dhe me pjesëmarrjen e videonalistit të kombëtares U19, Fation Bardhi është publikuar formacioni më i mirë i Superiores deri në javën e 30-të.
Nga 11-tëshja e javës së kaluar nuk ka ndryshime, me formacionin e javës së kaluar që konfirmohet sërish teksa Visar Bekaj ka “blinduar” prej javësh vendin e tij në portë. Në mbrojtje, Marku i Partizanit, Najdovski dhe Hoxhallari të Tiranës në qendër ndërsa në krahun e djathtë Ndreca i Kukësit.
Në mesfushë, Julian Shehu i Laçit përkrah Gjelbrim Taipit të Kukësit ndërsa në krah pozicionohen Redon Xhixha i Tiranës dhe Edi Basa i Kukësit. Sakaq, në sulm dyshja Seferi-Guindo që së bashku në këtë kampionat kanë shënuar 28 gola, 15 për lojtarin e Tiranës dhe 13 për futbollistin e Laçit.



