Analizë Superiore, statistika/ Partizani “bombardon” Teutën, Dinamo pa shënjestër. Vllaznia dominon në Laç
Fundjava e kaluar në Abissnet Superiore u mbyll raundi i 19-të, teksa ishin disa sfida që spikasnin mbi të tjerat. Një nga to ishte edhe ajo që konsiderohet si derbi i Veriut mes Laçit dhe Vllaznisë. Kurbinasit ia dolën të merrnin tre pikët falë saktësisë së Guindos nga pika e bardhë megjithatë, shkodranët ishin padronë të fushës nisur nga statistikat që prodhoi fusha.
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport në drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me prezencën e videoanalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi është evidentuar fakti se kuqeblutë goditën shtatë herë kuadratin e mbrojtur nga portieri Dajsinani, me këtë të fundit që tregoi një formë të shkëlqyer. Nga ana tjetër, edhe në zotërimin e topit, të besuarit e trajnerit Thomas Brdaric ishin më mirë se kundërshtari duke qenë se e kishin atë në kontroll për 27 minuta e 19 sekonda.

Ndërkaq, një tjetër sfidë që spikaste ishte ajo mes Teutës dhe Partizanit. Të kuqtë triumfuan me rezultatin e pastër 0-4, teksa në këtë takim kryeqytetasit e gjetën kuadratin e durrsakëve në tetë raste dhe kishin epërsi në zotërimin e topit, megjithatë çeduan në topat e humbur dhe me duelet në fushë.

Nga ana tjetër, kryesuesit e Tiranës vijuan me ecurinë pozitive dhe në stadiumin Air Albania mposhtën me rezultatin 3-2 Skënderbeun. Bardheblutë e trajnerit Orges Shehi pas tre golave të parë lëshuan në lojën e tyre dhe kjo duket se është reflektuar edhe në statistika. Kështu, bardheblutë dhe korçarët ndajnë të njëjtën përqindje të zotërimit të topit në masën 50%, dhe në aspektin kohor e kryesojnë atë me vetëm gjashtë sekonda më shumë. Ndërkaq, dy skuadrat ndajnë edhe një tjetër statistikë të përbashkët e cila lidhet me pasimet e kryera, teksa të dyja janë ndalur në kuotën e 355 pasimeve, ndërsa Tirana bën njëfarë diferencë duke qenë se kanë përmbyllur me sukses 304 pasime ndaj 296 të korçarëve.

Ndërkohë, në Kamëz, Dinamo u mposht nga Kastrioti me rezultatin 2-0. Në statistikat e kësaj sfide bie në sy se kryeqytetasit nuk e kanë gjetur në asnjë moment kuadratin e mbrojtur nga Sali, edhe pse kanë tentuar me gjuajtje drejt portës në 13 raste. Nga ana tjetër, në këtë pikë, krutanët kanë rezultuar efektivë teksa në tre goditje drejt kuadratit të Simonit, në dy raste ia dolën të realizonin. Sakaq, blutë janë më keq edhe në pjesën e topave të humbur teksa janë treguar të pasaktë në 101 raste ndaj 86 të vendasve.

Sakaq, në Rrogozhinë, Kukësi nuk e pati të vështirë për të mposhtur vendasit e Egnatias me rezultatin 0-2, ndërsa në statistika dallohet dominimi i verilindorëve në aspektin e zotërimit të topit, po ashtu edhe në pasimet e sakta. Ndërkaq, vendasit tentuan në tetë raste portën e Tafas, por e gjetën vetëm tre herë dhe pa rezultat.




