Analizë Superiore/ Statistikat e pesë sfidave, Vllaznia i fiton duelet Tiranës. Laçit i mungon vetëm goli
Abissnet Superiore mbylli këtë fundjavë raundin e 25-të, teksa në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e moderatorit Sokol Xhihani dhe me prezencën e videonalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi, janë diskutuar statistikat që prodhuan në fushë 10 skuadrat e elitës.
Një nga ndeshjet të cilat fitoi vëmendjen maksimale ishte Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës në të cilën bardheblutë fituan me rezultatin 1-2. Sa i takon statistikave të 90-minutëshit të Loro Boriçit, shkodranët ishin më mirë në zotërimin e topit, po ashtu edhe në duelet e fituara. Ndërkaq, bardheblutë patën një përqindje më të mirë në goditjet drejt portës pasi në tre raste që gjetën kuadratin e Zogovic, ia dolën të shënonin dy herë.

Një tjetër, sfidë e cila prodhoi shumë ishte edhe ajo mes Laçit dhe Skënderbeut. Vendasit provuan vazhdimisht, por në fund u ndalën në një barazim pa gola. Shtatë, ishin goditjet drejt portës së Rexhepit, mirëpo ky i fundit ishte në gatishmëri. Nga ana tjetër, kurbinasit ishin më të mirë edhe në pasime, apo duelet e fituara, pa shtuar këtu edhe zotërimin e topit në masën e 66%.

Ndërkohë, Partizani u ndal në një barazim 2-2 me Egnatian, ndërsa 90 minutat e Elbasan Arenas nxorrën në pah cinzimin e rrogozhinasve të cilët në dy raste që goditën portën e Alban Hoxhës ia dolën ta ndëshkonin po aq herë, ndërsa për tu theksuar se gjatë gjithë ndeshjes nuk fituan asnjë goditje këndi. Kryeqytetasit ndërkohë goditën shtatë herë në portën e Egnatias, por vetëm në dy raste shënuan, teksa u shfaqën më të zotë në qarkullimin e topit.

Sakaq, Kukësi u rikthye te suksesi teksa mposhti në Kamëz, Dinamon me rezultatin 0-2. Verilindorët u shfaqën më kërkues dhe me statistika ishin më mirë në aspektin e goditjeve në portë, ndërsa mbetën prapa në aspektin e pasimeve ku blutë ishin më të saktë.

Teuta pësoi një humbje 0-1 ndaj Kastriotit, në një sfidë në të cilën durrsakët nuk e gjetën në asnjë rast portën e Salit, ndërsa bregdetarët dukeshin pa nerv pasi lojtarët e trajnerit Renato Arapi nuk u ndëshkuan me asnjë karton të verdhë. Teuta ndërkohë ishte më mirë në aspektin e zotërimit të topit duke kompletuar 523 pasime të sakta, mirëpo pa konkretizuar në sulm.




