Analizë Superiore/ Tre ndryshime në formacionin më të mirë, lëvizje në mbrojtje dhe mesfushë
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me prezencën e videoanalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi është publikuar formacioni më i mirë deri në javën e 20-të të Abissnet Superiore.
Nga java e kaluar janë tre ndryshime, specifikisht në repartin e mbrojtjes dhe të mesfushës. Kështu, Ilir Allmuça i Egnatias e ka humbur pozicionin ndërsa në këtë rol rikthehet Edison Ndreca i Kukësit. Ndërkaq, një tjetër lojtar i verilindorëve i ka bërë vetes vend në formacion teksa Bruno Lulaj ka spostuar jashtë Eljon Sotën të Partizanit.
Sakaq, ndryshimi i vetëm në mesfushë lidhet me emrin e Julian Shehut të Laçit që rikthehet në formacion, ndërsa nuk rezulton më emri i Vesel Limajt të Tiranës. Ndërkaq, pjesa tjetër nuk ndryshon me portierin Dajsinani që konfirmohet, po ashtu edhe Gurishta me Basan e Kukësit, ndërsa në sulm prej kohësh është dyshja Guindo-Seferi.




