Analizë Superiore/ Vesel Limaj vazhdon të shkëlqejë, më i miri i derbit!
Për 4 sezone ishte lideri i mesfushës së Kukësit, tashmë udhëheq me shumë klas dhe personalitet repartin e ndërmjetëm të Tiranës. Nga prurjet e reja të verës së shkuar ajo e Vesel Limaj është padiskutim më e goditura e presidentit të Tiranës Refik Halili. Në 8 ndeshjet e para ai ka marrë në dorë në frenat e lojës së bardhebluve duke rezultuar një nga pikat më të forta të skuadrës së Orges Shehit që kryeson me meritë kampionatin e shkëputur me 6 pikë nga ndjekësja më e afërt që është Kukësi.
Në suksesin 4-0 në derbin ndaj Dinamos Vesel Limaj autor i 3 golave në këtë sezon me Tiranën më i bukuri ai me goditje standarte ndaj Teutës, nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, por në stastikat e publikuara nga emisioni “Analizë Superiore” në Supersport kuptohet lehtë që 24-vjeçari ka qenë futbollisti më i mirë në fushë për Tiranën.
Vesel Limaj mori pjesë në 81 aksione të Tiranës duke realizuar me sukses 61 prej tyre me një mesatare saktësie prej 75%. Akoma më e lartë ishte saktësia e mesfushorit në pasime me ish-lojtarin e Kukësit që dha 44 pasime të sakta nga 47 në total. 63% i saktë Limaj ishte edhe në duelet e fituara teksa nga 16 në total në të cilat mori pjesë fitoi 10 prej tyre, ndërkohë që humbi vetëm 3 topa gjatë gjithë takimit ndaj Dinamos. Nëse vazhdon me këto ritme Vesel Limaj mund të jetë shitja e radhës e madhe e Tiranës, pas Ernest Muçit dhe Jurgen Çelhakës që u transferuan te Legia e Varshavës në harkun e disa muajve për një total prej 750 mijë eurosh që u arkëtuan nga klubi bardheblu.




