Ancelotti ndryshon mendim për Hazard: Është rikthyer ai që njohim, luftoi shumë!
Real Madrid mori një fitore shumë të rëndësishme për objektivin titull në La Liga, teksa mbrëmjen e së mërkurës mposhti në transfertë me rezultatin 1-2, Athletic Bilbaon. Los Blancos shënuan dy gola të shpejtë me anë të Karim Benzema, teksa edhe pse pësuan një gol, ditën të menaxhonin avantazhin përballë baskëve të rrezikshëm në San Mames.
Titullar për galaktikët ishte edhe Eden Hazard, me belgun që u tregua mjaft aktiv në fushën e lojës dhe shpeshherë me shpejtësinë e tij vendosi në panik prapavijën e kundërshtarëve. Kjo paraqitje e 30-vjeçarit i ka bërë përshtypje edhe trajnerit Carlo Ancelotti, i cili pas ndeshjes nuk ngurroi ta lavdëronte lojtarin e tij duke theksuar se Hazard i vërtetë është rikthyer.
“Mendoj se është rikthyer Hazard i vërtetë, ai që njohim të gjithë. Ai bëri shumë mirë në këtë ndeshje dhe luftoi shumë. Diferenca tregohet kur mbron dhe Hazard me Vinicius punuan shumë në këtë drejtim dhe e kuptuan se çfarë duhet të bënte ekipi në fazën difensive.
Kjo fitore do të thotë shumë për ne, kishim edhe problemet nga COVID, megjithatë pa përmendur emra mund të them se tre apo katër lojtarë tashmë kanë rezultuar negativ në testimin e fundit dhe mund të rifillojnë stërvitjen. Nuk kanë pasur as simptoma dhe do të jenë gati”, u shpreh Ancelotti.



