Ancelotti: Përmbysëm një rival shumë të fortë, pjesa e dytë super. Vinicius? Unik
Real Madrid vazhdon të fitojë dhe kryesojë La Liga-n. “Los Blancos” triumfuan 2-1 kundër Sevillas mbrëmjen e kaluar, duke regjistruar suksesin e katërt radhazi në kampionatin spanjoll.
Golat e Karim Benzema dhe Vinicius Junior përmbysen avantazhin e ekipit andaluzian, dhe Reali renditet në vend të parë në La Liga me 33 pikë pas javës së 14-të, katër më shumë se Atletico Madrid dhe Real Sociedad.
Trajneri i ekipit kryeqytetas, Carlo Ancelotti nuk e fshehu në prononcimin e dhënë pas pas ndeshjes lumturinë për fitoren ndaj një rivali shumë të fortë (Sevilla mban vendin e katërt me 28 pikë).
“Fitore e rëndësishme pasi Sevilla na e vështirësoi jetën. Ishte një ndeshje e komplikuar për ne. Të gjithë e njohim Sevillan, ekip që në pjesën e parë shfaqi në fushë gjithë kualitetin që zotëron.
Ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë. Goli i barazimit dhe zëvendësimet e kryera na dhanë forcë dhe energji. E përsëris, u përballëm me një kundërshtar shumë të fortë që tregoi cilësi, sidomos në 45 minutat e para.
Vuajtëm për t’u bërë presing në pjesën e parë, u çekuilibruam disi. Pasi gjetëm golin e barazimit filluam të mbroheshim më mirë dhe nisëm të kontrollonim ndeshjen gjithnjë e më shumë.
Ndoshta barazimi do të kishte qenë rezultati më i drejtë, por sigurisht që Reali im nuk e meritonte humbjen”. Në fund një koment për Vinicius Junior, i cili realizoi një eurogol tre minuta përpara fundit dhe i dhuroi tre pikët ekipit të tij.
“Vinicius nuk zhvilloi ndeshjen që të gjithë prisnim prej tij, por nuk e humbi përqendrimin dhe shënoi një gol të jashtëzakonshëm në fund. Ky lojtar ka diçka të veçantë si teknikisht ashtu edhe në aspektin atletik”, përfundoi trajneri italian.



