Anorthosis Famagusta, kundërshtari i Laçit kampion 10 vite më parë me Beqajn
Anorthosis Famagusta, 13 herë kampion i Qipros, do të jetë kundërshtari i Laçit në raundin e parë eliminator të Europa League-s. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës përcaktoi klubin bardheblu nga Larnaca si rivalin e kurbinasve në këtë kompeticion.
Historia e Anorthosis është e pasur me suksese, por në disa momente ky klub është pushtuar nga kriza, sidomos ajo finanaciare e vitit 2013, kur u desh investimi i tifozëve për ta nxjerrë mbi sipërfaqe. Titulli i fundit i fituar daton më 2008-ën, kur pjesë e Anorthosis ishte edhe ish-portieri i Përfaqësueses Shqiptare, Arjan Beqaj.
Një nga arritjet më të mëdha të klubit, i cili ka huazuar edhe mbishkrimin e Juventusit, duke u quajtur “Zonja e Vjetër”, është pjesëmarrja në grupet e Champions Leagues në edicionin 2008-2009, ku ndodheshin në të njëjtin grup me Interin, Werder Bremenin dhe Panathinaikosin. Anorthosis i shkoi pranë kualifikimit, por nuk ia doli. Pjesëmarrja në kompeticionet europiane vijoi deri më 2013-ën.
Bardheblutë kanë fituar 10 herë Kupën e Qipros dhe 7 herë Superkupën. Klubi me origjinë nga Famagusta, por që tashmë bazën e ka në Larnaca, është një nga 3 klubet qipriote që asnjëherë nuk e kanë provuar rënien një kategori më poshtë dhe është pa diskutim një ndër më të suksesshmit në Ishullin të Afërditës.
Edicionin e fundit e mbylli në vendin e 3-të pas Apollon Limassolit dhe kampionëve të Apoel Nicosias. Lojtari më i mirë i sezonit ishte sulmuesi slloven, Michal Duris, autor i 11 golave. Pjesë e Anorthosis janë edhe futbollistë që në të shkuarën kanë luajtur me klube të njohura, si ish-lojtari i Bajernit të Mynihut, kroati Danjel Pranjic, Sekou Cisse, i cili ka qenë pjesë e Feynoordit, apo edhe edhe ish-futbollisti i Mallorcas, Joao Victor. Trajneri i kësaj skuadre është izraeliti Ronny Levy. Një short aspak i thjeshtë për Laçin, megjithatë në futboll, surprizat kurrë nuk mungojnë.



