Argjentina barazon me Brazilin dhe kualifikohet në Botëror, Vidal “lë në baltë” Kilin
Mbyllet pa fitues sfida e shumëpritur Argjentinë-Brazil, me dy skuadrat që zhvilluan një 90-minutësh mjaft të luftuar, por mungoi ai më i rëndësishmi në një ndeshje futbolli, goli. Një barazim që gjithsesi i vlejti shumë skuadrës së Lionel Scalonit që përveç se e zgjati në plot 27 rekordin e ndeshjeve pa humbje(disfata e fundit daton në gjysmëfinalen e Copa America në 2019-ën ndaj Brazilit) u bë gjithashtu përfaqësuesja e dytë pas Seleçaos nga Amerika e Jugut që siguroi zyrtarisht biletën për në Katar 2022 dhe njëkohësisht kombëtarja e 12-të që kualifikohet në Botërorin aziatik.
Në “Estadio di Bicentenario” të San Juanit, Argjentina pati zotërim më të mirë të topit, por këtë dominim nuk e përktheu edhe në raste, aty ku gjithçka ishte e balancuar si edhe rezultati i ndeshjes.Luajti gjatë gjithë ndeshjes si titullar edhe Lionel Messi, i cili nuk ia doli të lërë gjurmë.
Zhgënjen ndërkohë Kili, që pësoi humbje 0-2 në shtëpi ndaj Ecuadorit dhe komplikoi edhe më shumë rrugëtimin drejt Katarit. Mesfushori veteran Arturo Vidal la të tijtë me 10 futbollistë që në minutat e para, për shkak të një ndërhyrjeje të rëndë, ndërsa më pas u largua i dëmtuar edhe Alexis Sanchez, i cili luajti vetëm 35 minuta.
Barazim pa gola edhe në sfidën mes Kolumbisë e Paraguajit, me këta të fundit që e mbyllën ndeshjen me 10 futbollistë. Në Amerikën Latine ka siguruar biletën për në Katar vetëm Brazili e Argjentina, teksa shumë pranë është shumë pranë Ekuadori, ndërsa të tjerat i pret një luftë e fortë deri në fund.



