Arsenal fiksohet pas sulmuesit të Fiorentinës, 150 milionë paund për Vlahovic
Dusan Vlahovic është shndërruar në një nga sulmuesit më të kërkuar në merkato. Serbi ka zhvilluar një gjysmësezoni në limitet e perfeksionit me Fiorentinën duke qenë se ia ka dalë të shënojë 16 gola në 20 paraqitje me “vjollcët” në Serie A. ndaj, për 21-vjeçarin “fansat” janë të shumtë dhe janë të gatshëm të bëjnë çmenduri për ta bërë të tyrin. Një nga klubet më të interesuara për Vlahovic është Arsenal.
Trajneri i topçinjve, Mikel Arteta pas eliminimit nga FA Cup ka kërkuar menjëherë përforcime në skuadër dhe drejtuesit duan të kënaqin spanjollin ndërsa përgatiten të shpenzojnë në total për të gjithë operacionin deri në 150 milionë paund për Vlahovic. Nga kjo shumë 58 milionë paund do të shkonin në arkat e klubit të Fiorentinës, ndërsa për sulmuesin do të krijohej mundësia për një pagë prej 300.000 paundësh në javë.
Ndërkohë, një tjetër shpenzim lidhet edhe me njerëzit që menaxhojnë lojtarin teksa shpenzimet do të preknin kuotën e 15 milionë paundëve.
Megjithatë, për të mbyllur marrëveshjen nevojitet edhe miratimi i vetë futbollistit, me Vlahovic që ende nuk është i bindur për Arsenalin duke qenë se kërkon një klub që garanton më shumë sukses se londinezët.



