Arsenali dhe Lazio kualifikohen, humbet Marseille
Arsenali barazoi pa gola ndaj skuadrës të Crvena Zvezdës në Londër por një pikë ishte mëse e mjaftueshme që “Topcinjtë” të avanconin në fazën tjetër të Europa League. Me këtë barazim Arsenali u ngjit në kuotën 10 pikëve teksa kryeson grupin H. Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Koln mori fitoren e parë pasi mposhti me rezultatin 5-2 në shtëpi Bate Borisov. Në grupin K, Lazio vijoi ecurinë perfekte pasi mposhti francezët e Nice me një gol në fund duke siguruar kualifikimin dhe njëkohësisht vendin e parë, edhe pse luajti dobët dhe fitoi me një autogol në një ndeshje që nuk e goditi asnjëherë kuadratin. Thomas Strakosha e mbajti të paprekur portën duke zhvilluar një ndeshje të mirë. Në sfidën tjetër Zulte Waregem bëri surprizën pasi mposhti 2-0 në Holandë, Vitessen e Milot Rashicës. Në grupin I, Marseille e Rudi Garcias vuri në diskutim kualifikimin pas humbjes 1-0 që pësoi në Portugali ndaj Vitoria Guimaraes, ndërsa zhganjeu edhe Salzburgu që në shtëpi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë turqëve të Konyaspor. Në grupin G, Steaua e Bukureshtit regjistroi ndalesën e parë pasi barazoi në shtëpi 1-1 me Hapoel Beer Shevan por nga ana tjetër skuadra rumune siguroi edhe kualifikimin. Në grupin J u rihap gjithcka pasi këtë herë Athletic Bilbao dhe Hertha e Berlinit përmbushën parashikimet teksa mposhtën respektivisht në shtëpi, suedezët e Ostersunds 1-0 dhe ukrainasit e Zorya Luhansk 2-0. Në grupin e fundit dhe atë L, Zeniti siguroi kualifikimin falë barazimit 1-1 në transfertën norvegjeze ndaj Rosenborg ndërsa është shumë pranë kalimit për më tej edhe Real Sociedad që mposhti në Spanjë 3-0 Vardarin e Shkupit.



