Arsenali në “tokën e premtuar”, përsëritet rekordi 15-vjeçar, “Topçinjtë” kanë arsye për të besuar
Arsenali konfirmoi edhe njëherë tjetër forcën me anë të fitores së madhe 3-2 ndaj Liverpoolit në “Emirates Stadium”. Për Topcinjtë e Londrës entuziazmi është maksimal dhe dëshira e lojtarëve të rinj po tregohet nga ndeshja në ndeshje në tentativën për të rikthyer 13-herë kampionët e Anglisë në vendin ku i takon. Një ecuri prej tetë fitoresh në nënte ndeshjet e para të kampionatit nuk ndodhte që prej sezonit 2007-08 ku në atë vit pavarësisht startit të vrullshëm nga ana e “Topçinjve”, titulli do të fitohej më pas nga Manchester United me 87 pikë teksa Arsenal ndiqte me 4 pike me pak.
Një tablo ndryshe është shfaqur këtë sezon. Arsenal nuk ka treguar vetëm aftësisë për të fituar, por e ka arritur këtë nëpërmjet futbollit të bukur dhe sulmues, diçka që të sjell në vëmendje Arsenalin e Arsene Wengerit. Fakti që Arsenal kryeson momentalisht renditjen e Premier Liges, me një pikë më shumë se ndjekësit e City-t rikthen në memorie Dhjetorin e 2016, herën e fundit kur “Topçinjtë” mbanin kreun e klasifikimit pas më shume se 9 ndeshjesh të luajtura. Arsenal ka reaguar sic duhet pas humbjes së vetme ndaj United dhe ka shfaqur vazhdimësi, një komponent më se i nevojshëm për një skuadër që ka pretendime serioze.
Hera e fundit që Arsenal shpallej kampion ishte sezoni 2003-04, një sezon i famshëm, pasi “Topçinjtë” e fitonin titullin pa asnjë humbje. Tanimë, nuk kanë më në skuadër emra si Dennis Bergkamp, Thiery Henry, Patrick Vieria apo dhe Sol Campbell, por kanë lider të rinj si Gabriel Jesus, Bukayo Saka, Martin Odeegard, Gabriel Martinelli dhe William Saliba, që po kthehet në një sensacion në mbrojtje. Për më tepër nuk kanë në pankinë një si Arsene Wenger por kanë një trashëgimtar të futbollit të tij dëfryes e që e njeh ADN-në e ekipit më mirë se kushdo tjetër siç është Mikel Arteta. Nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar, por fytyrat e reja në skuadrën më të titulluar në Londër kanë shfaqur personalitetin dhe karakterin e duhur deri më tani për të udhëhequr Arsenalin drejt rrugës së lavdisë.



