Arsenali nuk ndalet, Aubameyang bën dopietë
Arsenali ka regjistruar fitoren e shtatë radhazi në kampionatin anglez, teksa mposhti në “Emirates Stadium” Leicesterin me rezultatin 3-1, në sfidën e fundit të javës së nëntë.
Skuadra e drejtuar nga Unay Emery nuk e nisi mirë sfidën dhe në minutën e 31-të e pa veten në disavantazh, pasi spanjolli Hector Bellerin shënoi në portën e tij, pas një topi të ardhur në zonë.
Gjithsesi “Topçinjtë” rikthyen baraspeshën në minutën e 45-të, kur ishte sërish Bellerin, që shleu gabimin, duke asistuar për Ozil dhe turko-gjermani nuk gaboi, duke çuar topin në rrjetë.
Në 45-minutëshin e dytë, londinezët ishin thuajse perfektë, duke shënuar edhe dy herë të tjera me anë të sulmuesit kryesor, Pierre Emenik Aubameyang, i cili shfrytëzoi mjaft mirë asistet e Ozil dhe Bellerin, për të sigluar fitoren e radhës të “topçinjve”.
Arsenali e nisi sezonin me dy humbje në dy përballjet ndaj Manchester City-t dhe Chelseat, por më pas nuk njeh më ndalesa dhe ka rikuperuar, duke shkuar në kuotën e 21 pikëve, në vendin e katërt të renditjes, me vetëm dy pikë më pak se kryesuesit, City dhe Liverpool.



