Arsenali ofron 35 milionë euro për sulmuesin e talentuar të Lille
Sulmuesi anësor Nicolas Pepe është një nga surprizat më të bukura të kampionatit francez në këtë fillim sezoni, pasi në tetë javët e para ka arritur të shënojë plot 5 gola për skuadrën e Lille.
Ka mjaftuar ky start fantastik, që djaloshi nga Bregu i Fildishtë të përfundojë në radarët e disa klubeve europiane, me Arsenalin e Evertonin në krye të listës së pretendentëve.
Mediat angleze raportojnë se drejtuesit e Arsenalit po monitorojnë me vëmendje rritjen e Pepes, teksa kanë marrë edhe kontaktet e para me skuadrën e Lille, duke i ofruar 35 milionë euro për kartonin e tij.
“Topçinjtë” kanë ndërmend të lëvizin shpejt për të bërë të mundur bllokimin e kartonit të tij, pasi së fundi kanë qenë edhe spanjollët e Barcelonës dhe Sevillas, që kanë dërguar përfaqësues të tyre, për të ndjekur nga afër sulmuesin në dy takimet e fundit të kampionatit francez.



