Europa League

Zhgënjejnë Milan e Lazio, Valon Berisha mund i vetëm Dortmundin, “ok” Atletico

Milani mori një goditje të rëndë nga Arsenali në takimin e parë të fazës së 1/8-ave të Europa League,  pasi u mposht 0-2 nga Arsenali brenda në “San Siro”. Një rezultat ky shumë i vështirë për t’u përbysur në takimin e kthimit, që do të zhvillohet pas një jave në “Emirates”.

Pavarësisht entuziazmit me të cilin vinin në këtë përballje gjigantësh, kuqezinjtë zhgënjyen që në pjesën e parë, pasi u ndëshkuan me dy gola që mbajnë firmën e Mkhitaryan dhe Ramsey. Fantazisti armen, I ndihmuar nga devijimi i një mbrojtësi nxorri jashtë loje Donnarumman në minutën e 15-të, ndërsa në fund të pjesës së parë Ramsey, i shërbyer mjeshtërisht nga Ozil, pasi shmangu portierin kuqezi, e dërgoi qetësisht topin në rrjetë. Milani thyhet pas 13 ndeshjes, duke dhënë sinjale të qarta se Europa mbetet e një niveli tjetër.

Bën detyrën Atletico e Madridit, që iu imponua 3-0 Lokomotivës së Moskës. Niguez kaloi në epërsi madrilenët në minutën e 22-të, ndërsa Diego Costa i çoi shifrat në 2-0 në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt Kokë gjeti rrjetin për rezultatin përfundimtar 3-0.

Zhgënjen Borussia e Dortmundit, që u mund 1-2 në sfidën e shtëpisë me Salzburgun, me protagonist absolut Valon Berishën për skuadrën austriake. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës realizoi fillimisht me penallti në minutën e 49-të, por 7 minuta më vonë gjeti të dytin personal ndaj verdhezinjve, të cilët arritën të shkurtonin diferencën me Andre Schurrle në minutën 62-të, por pa mundur të bënin përmbysjen e madhe.

Fitore premtuese për kualifikimin siguroi edhe Lyoni 0-1 në fushën e CSKA-së së Moskës. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Marcelo në të 68-ën.

Thomas Strakosha u detyrua ta nxirrte dy herë topin nga rrjeta në sfidën e “Olimpicos” mes Lazios dhe Dinamos së Kievit, që u mbyll në barazim 2-2. Një rezultat aspak i kënaqshëm për bardhekaltrit, që duhet të fitojnë ose të barazojnë me shumë gola në takimin e kthimit për të vijuar në raundin tjetër. Të gjithë golat e kësaj përballjeje u shënuan në pjesën e dytë. Zhbllokoi rezultatin Tsygankov në të 52-ën, por vetëm 2 minuta më vonë barazoi Immobile. Lazio realizoi edhe të dytin me Anderson në të 62-ën, por nuk arriti ta ruante epërsinë, me Moraes që barazoi 2-2 në të 79-ën. Në fakt, Immobile ishte i pafat teksa në sekondat e fundit të shtesës u ndal nga shtylla.

Shfrytëzon faktorin fushë Leipzigu, që mposhti 2-1 Zenitin. Edhe në këtë sfidë golat u shënuan në pjesën e dytë. Bruma dhe Werner gjetën rrjetën për vendasit, ndërsa italiani Criscito ngushtoi më 2-1 diferencën 3 minuta para fundit.

Olimpique Marseille hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, pasi kaloi 3-1 Atheltic Bilbaon. Ocampos dy herë dhe Payet ishin autor të golave për vendasit, ndërsa për baskët shënoi Aduriz.

Takimin mes Sportingut të Lisbonës dhe Plzenit e vendosi dygolësh i Monteros, me vendasit që të udhëtojnë të qetë për ndeshjen e kthimit.

 

Rezultatet:

Milan – Arsenal 0-2

Atletico Madrid – Lokomotiva e Moskws 3-0

Borussia Dortmund – Salzburg 1-2

CSKA e Moskws – Lyon 0-1

Lazio – Dinamo Kiev 2-2

Leipzig – Zenit 2-1

O. Marseille – Ath. Bilbao 3-1

Sporting – Plzen 2-0

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency