Artur Magani përplas Partizanin me Feronikelin
Stërvitet me Partizanin, por është prezantuar si afrim cilësor te Feronikeli në Kosovë. E ardhmja e Artur Maganit është në aksit Tiranë-Drenas, por fakti që po stërvitet nën urdhrat e trajnerit të sapoemëruar të të kuqve, Skënder Gega, sugjeron se do të jetë pjesë e Superiores.
Klubi kryeqytetas, në fakt, nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për nënshkrimin me Maganin, çka do të thotë ndoshta që më parë duhet të bindë stafin teknik, nga ana tjetër te Feronikeli ngulmojnë se kanë marrëveshje me peqinasin. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, klubi nga Drenasi njofton se futbollisti ka marrëveshje parimore me të.
“Ditëve të fundit nëpër media ka qarkulluar informacioni spekulativ se superlojtari dhe një ndër golashënuesit më të mirë të Superligës në sezonin e kaluar, Artur Magani, ka ikur nga Feronikeli pas prezantimit në klub pak javë më parë. Andaj, për hir të korrektësisë ndaj tifozëve dhe dashamirësve të futbollit, Feronikeli njofton që Magani përfundimisht vazhdon të mbetet pjesë e klubit. Presidenti i klubit, Naser Ramaj, ka biseduar me të dhe në parim është konkretizuar marrëveshja, ndërkaq nënshkrimi i kontratës do të bëhet shumë shpejt. Ai i është bashkuar klubit tonë për të forcuar edhe më shumë lojën në luftën e padiskutueshme për titull.”
Situata duket paradoksale, por për aq kohë sa futbollisti nuk ka nënshkruar zyrtarisht me asnjë ekip, askush nuk mund ta pengojë të veshë fanellën e kuqe.



