Kategoria Superiore

As Ardian Mema nuk i gjen “ilaçin”, Tirana “fut ujë” në mbrojtje

Nga mbrëmja e 22 tetorit, kur mori për herë të parë në duar timonin e klubit më të titulluar në vend, e deri te ndeshja me Laçin Ardian Mema mbushi një fazë kampionati në Kategorinë Superiore. 48-vjeçari debutoi në stolin bardheblu me humbjen 1-0 që pësoi në Vlorë nga Flamurtari, ku punoi si asistent me mikun e tij Ilir Daja, ndërsa ditën e shtunë ndonëse luajti shumë mirë gjatë gjithë pjesës së dytë, Tirana e tij u thye në Laç nga ekipi kurbinas.

Për hir të së vërtetës në këtë qytet që të gjithë ekipet e kanë tepër të vështirë për të fituar, mjafton të kujtohet fakti që Skënderbeu, klubi që ka dominuar futbollin shqiptar gjatë dekadës së fundit, është mposhtur dy herë brenda vitit 2018. Sidoqoftë bën përshtypje shumë një detaj tepër i rëndësishëm, që bardheblutë nuk arrijnë të marrin dot rezultate pozitive as atëherë kur luajnë mirë. Pavarësisht pasionit dhe dëshirës që ka shfaqur trajneri Mema për të ngritur, apo më saktë për të përmirësuar pozitat e klubit, ku u formua dhe u rrit në aspektin futbollistik, simptomat janë pak a shumë po ato. Në një fushë tepër të vështirë Tirana përsëri e filloi takimin me Laçin me një lloj ngërçi dhe ishte e kuptueshme që pësimi i golit ishte thjesht çështje kohe. Një gol krejtësisht i evitueshëm, duke patur parasysh që gjithçka filloi nga një rivënie anësore dhe u mbyll me finalizimin e Shtubinës, golashënuesit më të mirë të skuadrës kurbinase, pikërisht lojtarit që duhej mbuluar më mire, por që për çudi u la krejtësisht i vetëm për të shënuar me kokë, në zonën e 5-metërshit.

Sikur të mos mjaftonte ky gabim vetëm 10′ më vonë një mbrojtës si Abdurraman Fangaj vallëzoi i vetëm në zonën e Tiranës, për të shënuar një gol që ndoshta është më i bukuri në karrierë për 21-vjecarin shkodran, për vetë mënyrën sesi zgjidhi gjithçka, teksa besoi deri në fund me atë galopim interesant, duke depërtuar dhe më pas finalizuar në mënyrë të shkëlqyer mes mbrojtësve bardheblu, që përsëri ndoqën në rolin e spektatorit një aksion individual, që mund dhe duhej të ishte ndalur.

Lëmë mënjanë reagimin e ekipit kryeqytetas dhe ndryshimin rrënjësor që pësoi skuadra në pjesën e dytë, pas zëvendësimeve të kryera nga trajneri Ardian Mema, për më tepër në një terren tepër të rënduar, e ku natyrisht influencuan ndjeshëm edhe vendimet tepër të diskutueshme të kryesorit Ardian Beqiri dhe asistentëve të tij, apo qoftë edhe mungesa e golashënuesit më të mirë të ekipit Sentamu. Sigurisht që nën akuzë është mbrojtja dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme, duke parë mënyrën sesi i pëson golat Tirana.

Bardheblutë që kishin pësuar 2 gola gjithsej në tre përballjet e fundit me Laçin, befas pësuan dy gola në harkun e vetëm 25′ lojë. Humbja e dytë sezonale në përballjet me Laçin dhe e katërta radhazi jashtë fushe në këtë edicion me rezultatin e njëjtë 2-1, në tre prej të cilave Tirana madje ka shënuar edhe golin e parë të ndeshjes. 21 gola të pësuar në 17 javë ndoshta mund të mos duken shumë, por në një kampionat, siç është Kategoria Superiore, ku mesatarja e shënimit është vetëm 1,79 gola për ndeshje, një shifër e tillë është problematike.

Aktualisht vetëm Kastrioti ka pësuar më shumë, gjithsesi disfata 2-1 në Laç është e pesta në gjashtë ndeshjet jashtë fushe për Ardian Memën, ku përjashtim bën vetëm barazimi 1-1 me Kamzën, madje edhe në atë rast bardheblutë kaluan të parët në avantazh.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency