Asani tregon “sekretet” e Partizanit: Po tregojmë në fushë, se jemi skuadra më e mirë
Sulmuesi i Partizanit, Jasir Asani ishte njeriu i ndeshjes në ndeshjen e të kuqve ndaj Kukësit, që u mbyll në barazim 1-1 dje në “Loro Boriçi”. Shqiptari nga Shkupi fitoi penalltinë dhe e shndërroi në gol përballë verilindorëve, ndërsa u bë protagonist edhe me festimin, duke drejtuar një gisht nga tribuna qendrore e stadiumit.
Për të diskutuar për formën e tij të mirë, rrugën e Partizanit drejt titullit, por edhe “sekretet” e të kuqve, Asani ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport.

Si e patë ndeshjen e Milanit sot?
Besoj se luajti mirë, por u ndëshkua nga fati i keq në fillim të lojës. Ajo që i ndodhi portierit sot, mund t’i ndodhë kujtdo, pasi futbolli i njeh këto, por më vjen keq, pasi pati kohë për të barazuar dhe kuqezinjtë nuk ia dolën.
Ngjani pak me Suson, për mënyrën se si luani…
Mua më pëlqen më shumë Paulo Dybala.
Cili ishte emocioni i parë që keni ndjerë, kur u afruat te Partizani?
Kur erdha këtu, skuadra ishte në vendin e 5-6 dhe që në fillim mendova se duhet të luftojmë për vendin e parë, për titullin kampion. Jemi si një familje dhe presidenti na jep shumë besim, për të përballuar mirë çdo ndeshje dhe për të marrë më të mirën.
E keni nisur karrierën me Vardarin. Ishe ti që kërkove Partizanin, apo “të kuqtë” të kërkuan me ngulm ty?
Kur isha te Vardari, kisha ofertë nga Partizani, por edhe skuadra të tjera, megjithatë pas bisedave me familjen, vendosa të vij këtu. Partizani është një skuadër mjaft e mirë, që ka tifozë në të gjithë Shqipërinë, ndaj doja të vija këtu.
Cila është diferenca mes Partizanit të këtij viti dhe atij të sezonit të kaluar?
Cilësinë e kishim edhe sezonin e kaluar, por këtë vit ne jemi të gjithë si një familje dhe çdo gjë e bëjmë bashkë. Besoj se ky është edhe ndryshimi nga viti i kaluar.
Kush mendoni se është skuadra më e mirë, Kukësi apo Partizani?
Atë e tregon renditja në fakt. Mund të them se pas ndeshjes në Shkodër, ne ishim të mërzitur, sepse kishim mundësinë të fitonim. Unë personalisht kisha mundësi të shënoja edhe golin e dytë, ndaj u mërzita.
Partizani ka një marrëdhënie mjaft të mirë me futbollistët shqiptarë nga Maqedonia…
Maqedonia ka nxjerrë gjithmonë lojtarë të mirë dhe të talentuar, ndaj besoj se edhe te Partizani e dinë këtë. Te Laçi është Najdenov, një nga më të mirët, por edhe Cuculi te Kukësi.
Me Cuculin keni luajtur edhe në Maqedoni, në sfidën Vardar-Shkëndija…
Po, kam luajtur dhe kam dalë gjithmonë fitues.
Te Vardari ke luajtur me futbollistë të mëdhenj, por që nuk ishin shqiptarë…
Ka pasur emra të shumtë si Ibriçiç, të cilët më kanë ndihmuar shumë.
Duket se ju ka ndihmuar shumë kjo eksperiencë te Vardari?
Patjetër. Te Partizani erdha që në fillim me qëllimin për të bërë mirë dhe për të ndihmuar skuadrën të synojë titullin kampion.
Si ishte të ishe shqiptar te Vardari?
Isha i vetmi shqiptar, por kam ndenjur shumë vite atje dhe të gjithë më kanë trajtuar mirë, ndaj i respektoj gjithmonë.
Bashkë me Bardhin dhe Malën, duket se keni krijuar një treshe simpatike edhe jashtë fushe…
Siç e thashë, ne jemi si një familje. Edhe presidenti, por i gjithë klubi, na nxisin të krijojmë një harmoni shumë të mirë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Sa përqind të rëndësisë ka stafi teknik në një sukses?
Stafi teknik ka qenë pranë nesh gjatë gjithë kohës dhe të paktën neve në sulm na ka dhënë shumë liri dhe na ka qëndruar pranë si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështira.
Ndaj Kukësit shkuat për një pikë?
Ne shkojmë në çdo ndeshje për 3 pikë. Mendoj se ne jemi ekipi më i mirë në Superiore dhe Kukësi pati fat në pjesën e dytë, ndaj nuk morëm dot fitoren, por në çdo takim do të kërkojmë maksimumin.
Fakti që shënoni të gjithë, mendoni se është një arsye më shumë për të rritur harmoninë?
Te Partizani nuk ka xhelozi dhe nuk shikojmë kush shënon. Ne kemi interesat e skuadrës primare dhe mendojmë të bëjmë më të mirën për fanellën.
A keni pasur ofertë nga kombëtarja maqedonase?
Kam pasur ofertë, por nuk kam pranuar sepse çdo shqiptar ëndërron të luajë për Shqipërinë.
E mendoni të afërt ditën kur të luani për Shqipërinë?
Besoj se po. Me ndihmën e zotit, por edhe me përkrahjen e klubit, unë besoj se do t’ia dal të luaj për Kombëtaren Shqiptare.



