Konfirmohet dëmtimi i rëndë i Asensios, ndryshojnë planet e merkatos te Reali
Talenti i Realit të Madridit, Marcos Asensio ka pësuar një dëmtim mjaft të rëndë në sfidë e zhvilluar në Kansas përballë Arsenalit, e vlefshme për International Champions Cup, që u fitua me penallti nga madrilenët.
Sulmuesi u aktivizua në pjesën e dytë të takimit dhe në minutën e 58’ shënoi golin e barazimit 2-2, ndërsa në të 64-ën pësoi dëmtimin e rëndë duke u larguar me barelë nga fusha, për t’u dërguar menjëherë në spital.
Klubi i Real Madridit ka konfirmuar se Asensio, ka këputur ligamentin në gjurin e majtë, dhe do të bëjë një operacion, në ditët e ardhshme për të shëruar gjurin e tij. Klubi nuk ka zbuluar se sa do të qëndrojë jashtë fushave, por këto dëmtime kanë nevojë për të paktën 6 muaj për tu kaluar.
Ky dëmtim ndryshon edhe planet e merkatos te Reali i Madridit, pasi Zidane mund të vendosë të mbajë në skuadër James Rodriguez, i cili kërkohet nga Napoli dhe Atletico Madrid.
Asgjë nuk ndryshon ndërkohë për Gareth Bale, që duhet të largohet këtë verë, ndonëse përballë Arsenalit luajti 45 minuta dhe shënoi edhe një gol, pasi Zidane e ka shprehur qartë qëndrimin e tij për uellsianin.



