Asensio thyen Maximianon dhe Granadën, Real shkëputet në krye
Real Madrid nuk gabon në shtëpi përballë Granadës, duke fituar minimalisht 1-0, falë golit të Asensio-s, në ndeshjen e javës së 23-të në “Santiago Bernabeu.
Një fitore karakteri për të besuarit e Ancelotti-t, të cilët vuajtën jo pak përballë një kundërshtari të organizuar në mbrojtje, por në fund, diferencën e bëri klasi i spanjollit 26-vjeçar, Marco Asensio.
Një sfidë e veçantë edhe për Myrto Uzunin, i cili debutoi në La Liga me Granadën dhe luajti për 80-të minuta, pas transferimit të tij nga Ferencvaros, teksa për këtë përballje sulmuesi “kuqezi” u vlerësua me notën 6.9.
Në pjesën e parë, madrilenët krijuan raste shënimi, por pa pasur saktësinë përpara portës dhe në disa raste duke hasur në rezistencën e portierit kundërshtar, Maximiano. Sulmuesi shqiptar, Uzuni, kishte shansin të debutonte me gol, kur në minutën e 36-të u ndal nga Courtois.
Në fraksionin e dytë, Real Madrid theksoi akoma dhe më shumë dominimin, ndërsa me aktivizimin e dyshes Jovic-Hazard ishte akoma dhe më shumë agresive, duke vizituar shpesh portën e Maximianos. Portieri portugez ishte në lartësinë e duhur në disa momente, duke mbajtur portën e paprekur, por ai dhe Granada u dorëzuan përpara goditjes së Marco Asensio-s, në minutën e 74-të. Spanjolli realizoi një gol klasi nga distanca, duke bërë diferencën në një nga mbrëmjet më të vështira për “Los Blancos”.
Në fund 1-0 dhe tre pikë dhe tani Real Madrid shkon në kuotën e 53 pikëve duke u shkëputur në krye, në +5 nga vendi i dytë që mbahet nga Sevilla, ndërkohë kjo ishte fitorja e 16-të sezonale. Granada pëson kështu humbjen e tretë radhazi në kampionat duke qëndruar përsëri në vendin e 16-të, në kuotën e 24 pikëve.



