Aspak modest, Ronaldo-kritikëve: Kam lënë gjurmë si asnjë futbollist tjetër në botë
Cristiano Ronaldo është komentuar shumë së fundmi në lidhje me formën jo shumë të mirë që ka shfaqur. Portugezi deri më tani ka shënuar 15 gola në 30 ndeshje gjatë gjithë sezonit, që nga kalimi te Manchester United.
Duke folur për “Dazn”, sulmuesi theksoi se ai ka shënuar në çdo ndeshje të Champions Leagues, si askush tjetër.
“Largimi nga Sporting dhe ardhja në Manchester ishte ndryshimi më i madh në jetën time. Dhe tani rikthimi në moshën 36-vjeçare ishte gjithashtu një moment shumë i bukur në jetën time. Të qenit familjar, me shumë fëmijë, të fitoja atë që kam fituar tashmë në futboll, të tregoja gjithçka që kisha për të provuar dhe duke shkruar një faqe në historinë e futbollit. Por përveç kësaj, ajo që doja ishte të mbërrija dhe t’i dëshmoja vetes se jam i aftë të luaj në një nivel të lartë. Kam shënuar gola, veçanërisht në Champions League, ku kam shënuar në të gjitha ndeshjet. Ndihem mirë, ishte një ndryshim i bukur të kthehesha në shtëpi shumë vite më vonë. Për mua ishte një burim krenarie dhe kënaqësie të madhe. Jeta ime ka qenë një udhëtim shumë i bukur. Kam lënë gjurmë kudo që kam qenë. Mendoj se nuk ka asnjë lojtar në histori që mund të jetë krenar të thotë se kudo që ka shkuar, ka lënë gjurmë dhe kjo më bën të lumtur,”-tha Cristiano Ronaldo.



