Atletico, bareritë kundër Sociedadit, Valencia në “kështjellën San Mames”
Ndeshja me Borussian ishte e 391 për Diego Simeonen në drejtimin e Atleticos, megjithatë disfata 4-0 në Dortmund përbën njëherësh edhe humbjen më të rëndë në karrierë për trajnerin argjentinas në timonin e bardhekuqve, kështuqë në “Wanda Metropolitano”, ekipi i dytë madrilen për nga rëndësia, pritet që të shkarkojë gjithë zemërimin ndaj Real Sociedadit, kundërshtar të cilin në kryeqytet e ka mundur radhazi në pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre, ndërkaq në orën 16:15, në “San Mames” interes ngjall gjithashtu edhe dueli Athletic Bilbao- Valencia, takim tepër i fortë ndërmjet dy skuadrave në vështirësi, ku gjithsesi skuadra e Marcelinos është e shtrënguar për të fituar, pasi pozitat e 53-vjeçarit asturian janë përkeqësuar ndjeshëm.
Në Holandë kampionët në fuqi do të masin forcat në “Euroborg”, ku do të mbahet takimi Groningen-PSV, ndërkaq, në Supersport, si përherë nuk do të mungojë as kampionati gjerman, me Bundesligën që ofron fillimisht në orën 15:30 sfidën Mainz-Bayern dhe më pas në orën 18:30 duelin Hoffenheim – Stuttgart, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.



