Atletico rikthehet te fitorja, ndaj Levantes vjen buzëqeshja e parë për 2019-ën!
Atletico i Madridit ka gjetur fitoren e parë në vitin 2019. “Los Colchoneros” pas barazimeve me Sevillan në kampionat dhe Gironan në Kupë kanë arritur të thyejnë në “Wanda Metropolitano” skuadrën e Levantes me rezultatin 1-0.
Të besuarit e Simeones e kërkuan golin që në pjesën e parë, madje për një moment ja dolën ta dërgonin në rrjetë me anë të Kokes, por gjyqtari pasi konsultoi sistemin VAR anuloi gjithçka për një faull të shkaktuar gjatë aksionit të golit. Në fundin e fraksionit Griezzman i shkoi pranë epërsisë, por një prej mbrojtësve të Levantes largoi mbi vijë. 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë Atleticos iu dha mundësia e artë për të realizuar. Vukcevic preku një top me dorë në zonë duke shkaktuar 11 metërsh. Antoine Griezzman nga pika e bardhë u tregua i përkryer. Goli i 8-të në kampionat dhe i 7-ti rradhazi për yllin francez të “rojiblancove”.
Levante e pati të vështirë të reagonte dhe Atletico rrezikoi disa herë por nuk ja doli të dyfishonte, gjithsesi mjaftoi një gol për ti siguruar tre pikët skuadrës nga Madridi. Ekipi i Simeones po vijon të ushtrojë presion mbi kryesuesit e Barcelonës.



