Tenis

ATP Pekin 500/ Përcaktohen finalistët, Del Potro sfidon një gjeorgjian

Finalja e turneut të Pekinit do të luhet ndërmjet argjentinasit Juan Martin del Potro si dhe tenistit gjeorgjian Nikoloz Basilashvili. Numri 4 i botës e njëherësh edhe raketa e parë e turneut kinez do të shkojë krejtësisht i çplodhur në finale, pas dy ditëve të plota pushim, sepse shtatlarti argjentinas nuk pati nevojë për të shkëmbyer qoftë edhe një top të vetëm, pas tërheqjes së italianit Fabio Fognini, që nuk rikuperoi dot në kohë pas dëmtimit që pësoi në kavilje në takimin me hungarezin Marton Fucsovics.

Në gjysmëfinalen tjetër Kyle Edmund-Nikoloz Basilashvili tenisti britanik ishte dukshëm favorit, për të siguruar finalen e parë në karrierë në turnetë ATP me vlerën e 500 pikëve, por për habinë e të gjithëve numri 34 i botës ia doli mban për të fituar ndeshjen, për më tepër në vetëm dy sete. Në fakt 26-vjecari nga Tbilisi dha një sinjal të qartë, teksa e theu në shërbim numrin 16 të botës që në start.

Ndeshja filloi plot rivalitet, pasi Edmund u përgjigj pa humbur kohë me kundër break, gjithsesi takimi vijoi plot rivalitet, ndonëse përpara se të shkohej në tie break 23-vjeçari britanik shpërdoroi plot tre mundësi për setin. Në lojën përcaktuese të setit hapës Kyle Edmund fluturoi shpejt e shpejt në avantazhin 4-1, sidoqoftë në vazhdim Basilashvili pothuajse nuk gaboi më asgjë, e pasi pa fillimisht që t’i anuloheshin dy mundësi për setin tenisti gjeorgjian mbylli llogaritë 8-6, set që zgjati diçka më tepër se një orë lojë, por ku gjendja e pikëve ishte krejtësisht e barabartë 45-45.

Në setin e dytë Basilashvili u shkëput menjëherë në shifrat 3-0 dhe më pas 26-vjeçari administroi pa shumë vështirësi epërsinë e krijuar. Në rezultatin 2-5 Kyle Edmund rikuperoi disavantazhin e një game me break për t’u afruar deri në rezultatin 5-4, por gjithsesi Basilashvili arriti të fitojë takimin duke thyer kundërshtarin pikërisht në servis, për të mbyllur gjithë ndeshjen me rezultatin 7-6,6-4. Në finale tenistin gjeorgjian që pas këtij rezultati pritet t’i afrohet ndjeshëm 25 të parëve të botës, natyrisht që e pret një mision shumë i vështirë, për më tepër edhe në përballjen e vetme që këta dy tenistë kanë patur 12 muaj më parë në Shanghai Juan Martin del Potro arriti të fitojë në tre sete.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency