Australian Open, avancojnë Djokovic, Wawrinka e Zverev, eliminohet Raonic
Shumë pak surpriza edhe në ditën e dytë të Australian Open, grand-slamit të parë të vitit që po zhvillohet aktualisht në Melbourne të Australisë. Eliminimi i Milos Raonic i cili u mposht në 4 sete nga sllovaku Lacko ishte befasia e vetme në sfidat e të martës për raundin e parë. Raonic i cili ka vetëm pak kohë që është rikthyer në fushat e tenisit pas një dëmtimi të gjatë nuk arriti të përballonte forcën dhe gjëndjen e shkëlqyer fizike të Lackos i cili arriti të triumfonte 3-1 me sete duke avancuar më tej. Gjithçka shumë e lehtë për Novak Djokovic. Ish numri 1 i Botës , aktualisht në një pozicion aspak komod në klasifikimin e ATP pasi renditet I 14-ti, humbi vetëm 7 game përballë kundërshtarit të tij të raundit të parë amerikanit Donald Young të cilin e mposhti në 3 sete me shifrat 6-1 6-2 6-4 në një ndeshje që zgjati vetëm 1 orë e 52 minuta lojë. Përmbushi të gjitha pritshmëritë edhe numri 8 i Botës zvicerani Stan Wawrinka i cili vuajti disi por në fund arriti të mposhte 3-1 me sete lituanezin Berankis duke u kualifikuar në raundin e dytë. Një ndeshje interesante ishte edhe ajo mes Sam Querrey dhe Feliziano Lopez e cila u fitua lehtësisht nga tenisti amerikan. Nuk zhgënjehu numri 7 i Botës belgu David Goffin i cili edhe pse hasi disa vështirësi mposhti 3-1 me sete gjermanin Bachinger. Të lehtë e pati ndërkohë francezi Gael Monflis me këtë të fundit që kaloi në 3 sete spanjollin Munar. Shkëlqeu nga ana tjetër numri 4 i Botës, gjermani i talentuar Alexander Zverev i cili u kualifikua për në ruandin e dytë të Australian Open pasi mposhti mbi çimenton australiane 3-0 me sete italianin Fabbiano.



