Australian Open, Halep vuan ndaj Davis, Kerber eliminon Sharapovën
Numri 1 i botës te femrat, 27-vjeçarja rumune Simona Halep, qëndroi në fushë në “Rod Laver Arena” përafërsisht katër orë, për të thyer 15-13 në set final qëndresën e numrit 76 në klasifikimin WTA, tenistes nga Shtetet e Bashkuara, Lauren Davis. Po në fushën kryesore u prit me shumë emocion gjithashtu edhe takimi tjetër Angelique Kerber – Maria Sharapova, gjithsesi tenistja gjermane dhe kampionia e vitit 2016 mbylli gjithçka në dy sete, në diçka më tepër se një orë lojë, duke humbur vetëm katër game gjithsej. Me shumë vështirësi u kualifikua mes 16 më të mirave numri 6 i botës, Karolina Plishkova, që në “Margaret Court Arena” fitoi derbin ndaj çekes tjetër, Lucie Safarova, sidoqoftë surprizën e madhe e shkaktoi po në të njëjtën fushë numri 88 i botës, tenistja nga Tajvani Hsieh Su – Wei, që eliminoi 6-2, 7-5 gjysmëfinalisten e vitit 2010, polaken Agnieszka Radwanska.



