Autor i 283 golave në Premier League, ish-sulmuesi i famshëm mahnitet me Brojën: Çfarë nuhatje për golin!
Armando Broja i ka bërë të gjithë për vete edhe pse po konsumon thjesht sezonin e parë si protagonist në Premier League. Ylli i kombëtares luan me Southampton ndërsa mes Premier League dhe Kupës ka shënuar tetë gola me fanellën e “Shenjtorëve” duke u shndërruar në një pikë referimi për trajnerin austriak Ralph Hasenhuttl. Paraqitjet e 20-vjeçarit kanë bërë që shumë personalitete të futbollit anglez të flasin me elozhe për Brojën ndërsa së fundmi listës së personazheve që janë mahnitur nga shqiptari i është shtuar edhe Alan Shearer.
Një nga sulmuesit më të famshëm që ka luajtur në elitën angleze duke qenë edhe autor i 283 golave në Premier League, për Brojën ka një konsideratë të lartë duke theksuar se sulmuesi i kuqezinjve ka një nuhatje të madhe për golin dhe që në Premier League mund të bëjë një karrierë të madhe.
“Broja ka pasur një impakt të madh te Southampton, duhet ta them se ai djalë është klinikal para portës. Goli kundër Brighton e bëri atë lojtarin më të ri të Premier League që shënon në katër ndeshje shtëpiake radhazi. Një sulmues ka detyrën të shënojë dhe të shfrytëzojë të gjitha rastet që i jepen dhe statistikat më thonë se Broja mund të shkëlqejë në Premier League.
Broja shënon në mënyra të ndryshme dhe ka aftësinë të krijojë hapësira për të goditur portën. Më impresionoi kundër Brentford, me një lëvizje nxorri jashtë lojë mbrojtësin dhe finalizoi aksionin me shumë ftohtësi. Është një sulmues i ri i cili ka nuhatje të madhe për golin dhe ka një të ardhme të madhe në Premier League”, u shpreh Shearer.



